Shqipëria është në përgatitjen e fundit për ndeshjen me Islandën. Në mbrëmje kuqezinjtë do të zhvillojnë seancën e fundit stërvitore para ndeshjes. Në përballjen e parë në grupin e Ligës së Kombeve skuadra e Rejas do të tentojë të marrë ç’të mundet.
Duhet të dalin patjetër më pikë pasi kjo do t’i shërbente moralit. Ka një lloj besimi mes futbollistëve se do të jenë superiorë ndaj skuadrës vendase që është e përbërë me futbollistë të rinj të cilët barazuan 2-2 në fushën e Izraelit.
Por fakti që janë lojtarë të rinj përbën edhe një element rreziku për përfaqësuesen shqiptare. Dëshira e tyre është të luajnë për vendin e titullarit, por nga ana tjetër edhe për t’i krijuar mundësi vetes të kenë një të ardhme më të mirë në klube të tjera europiane.
Skuadra vendase ka kërkuar dhe do të ketë mbështetjen e publikut që për ta është shumë i rëndësishëm. Tifozët në shkallët e stadiumit u japin kurajo për të bërë presion ndaj Shqipërisë që gjithsesi është skuadër me më shumë eksperiencë.
Avantazh për vendasit përbën jo vetëm faktori fushë, por edhe se ata e kanë bërë nxemjen në Ligën e Kombeve në sfidën me Izraelin. Dy skuadrat janë përballur shtatë herë me njëra tjectrën me 4 fitore për Islandën dhe 3 për Shqipërinë.
Islandezët nuk kanë mungesa ndërsa Shqipëria do të duhet të bëjë pa Brojën, Uzunin, Strakoshën e disa të tjerë të lënë në listë pritjeje. 5 gola ka shënuar Islanda në 5 ndeshjet e fundit teksa ka pësuar 10 ndërsa Shqipëria ka realizuar 2 herë dhe ka pësuar 8 gola.