Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, e konsideroi ndeshje “të veçantë” finalen e Superkupës së Spanjës ndaj Barcelonës dhe kujtoi humbjen kundër rivalëve katalanas në La Liga (0-4):
“Bëmë një vlerësim shumë të qartë. E nisëm mirë dhe ramë në pjesën e dytë. Duhet të shmangim gabimet që bëmë. Një El Clásico është gjithmonë një El Clásico, sidomos kur bëhet fjalë për një finale. Të luash kundër Barcelonës është gjithmonë diçka e veçantë.
Kjo është një ndeshje që nuk mund të parashikohet. E dimë shumë mirë çfarë duhet të bëjmë për të shmangur rreziqet, por rezultati varet nga shumë faktorë. Ajo që mund të kontrollojmë është performanca jonë në fushë dhe jam i bindur se nesër do të jemi shumë mirë,” tha italiani, duke shtuar:
“Është një finale dhe jemi afër një tjetër titulli, ndaj po mendojmë pozitivisht. Në futboll gjithçka mund të ndodhë, sidomos me një skuadër që gjithmonë garon. Ekipi është përmirësuar dhe askush nuk mund ta mohojë këtë, por një humbje nuk do të ishte e mirë... gjithsesi, ekipi nuk po kthehet pas, përkundrazi po ecën përpara.”
Ancelotti komentoi gjithashtu rikthimin e Dani Olmo-s në dispozicion të Barcelonës dhe theksoi se, nëse ndërkombëtari spanjoll luan, objektivi do të jetë ndalimi i tij:
“Nëse Dani Olmo luan, ajo që duhet të bëjmë është t’i ulim cilësinë me mbrojtjen tonë.”
Së fundmi, ai konfirmoi disponueshmërinë e Jude Bellingham-it, i cili doli i dëmtuar nga gjysmëfinalja:
“Ai është mirë, është rikuperuar plotësisht. Ishte lodhja e zakonshme pas ndeshjes. Ai është në një dinamikë të mirë dhe ka bërë diferencën në këtë periudhë të fundit.”