Ish-futbollisti i mirënjohur dhe ish-reprezentuesi i Kosovës, Muhamet Dragusha e ka komentuar ecurinë e përfaqësueses në vitin që lamë pas, shkruan FrontOnline.
Fillimisht, ai ka folur për ecurinë e Bernard Challandesit, trajnerit tashmë të shkarkuar të Kosovës.
“Që nga ardhja e trajnerit Challandes te Kosova, menduam se filloi një epokë e re, e drejtë, korrekte dhe e dashur për sportdashësit, jo që trajneri Albert Bunjaku nuk ishte i duhur, pasi edhe ai në fazën kur u emërua trajner, e bëri të pamundurën që t’i sjell te Kosova lojtarët cilësor”, ka thënë Dragusha për FrontOnline, duke vazhduar:
“Por, Challandes e trashgoi një skuadër që me të vërtetë në fillimet e saj ishte e jashtëzakonshme, disiplina ishte mbi nivel pasi ai donte profesionalizëm në të gjitha aspektet. Fati i tij e përcolli edhe me një garë të re nga UEFA që na mundësuan përmes Ligës së Kombeve një mundësi të dytë kualifikimi dhe ishte fat se ishim në rang me kombëtaret e vogla, por me cilësi më të vogël. Aty ishin hapat e parë të trajnerit me suksese, ku edhe menduam se kualifikimi po ndodhë pasi udhëheqja e trajnerit me staf ishte në nivelin e pritur”, theksoi ai.
Më tutje, Dragusha thotë se për mos kualifikimin, një faj e kanë edhe drejtuesit.
“Ndodhi si ndodhi, pandemia dhe nuk u kualifikuam. Fajet janë në shumë drejtime, por një faj mbetet edhe te drejtuesit që nuk e jetësuam ëndrrën e shumë pritur. Aty ishte edhe kthesa dhe gjërat shkuan keq e më keq, pastaj ndeshjet nuk ishin të menaxhuara mirë, por as të studiuara mirë”, nënvizoi Dragusha.
Ish-futbollisti i disa skuadrave në Kosovë tregon edhe si nisi rënia e “Dardanëve”.
“Filloj të zhduket disiplina e fillimit, ku si pasojë e saj na ikën dy futbollistë te Shqipëria – Dermaku dhe Ismajli, pastaj ishte Paqarada që tha se nuk do të pranojë ftesën derisa të largohet Bernard Challandes. Dhe kështu përfunduam një cikël pa suksese. Prishja e kontratës me Challandesin ishte vendim i duhur i FFK-së dhe shpresoj se trajneri i ardhshëm të nxjerrë maksimumin dhe ta kemi një sistem më
ndryshe të lojës, poashtu sjellje të reja dhe të kompletohemi drejt një kualifikimi në evropian apo botëror”, përfundoi për FrontOnline Muhamet Dragusha./FrontOnline/