Gjyqtari kosovar, Mentor Ajeti, kishte bërë një gabim skandaloz në ndeshjen mes Dukagjinit dhe Prishtinës të dielën. Këtë e kishte pranuar edhe vetë Ajeti përmes një kërkim faljeje ndaj klubit bardhë e kaltër. Por, gabimi i gjyqtarit që në fund ndikoi në rezultat (1-0) siç duket nuk i ka bërë aspak përshtypje Komisionit të Garave të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), shkruan Gazeta Metro.
Por, vendimi i këtij Komisioni për të heshtur rreth këtij rasti po del që është një shkelje e radhës e Rregullores Disiplinore të FFK’së, sipas nenit 82 për kundërvajtjet e gjyqtarëve, vëzhguesve të referimit dhe delegatëve.
Në këtë nen thuhet qartazi se ”Gjyqtari, delegati dhe vëzhguesi i referimit, i cili në mënyrë jo profesionale kryen detyrën, gjatë referimit, delegimit dhe vëzhgimit, do të dënohet: a) me ndalesë referimi respektivisht kryerjes së detyrës deri në 3 muaj.”
Pra, nëse Komisioni i Garave të FFK’së do të respektonte Rregulloren e saj atëherë gjyqtari Mentor Ajeti nuk do të duhej të ndante drejtësinë deri në 3 muaj.

Ndryshe, gjyqtari në fjalë është djali i Ali Ajetit, delegat i ndeshjeve të futbollit të FFK’së dhe nipi i anëtarit të Komitetit Ekzekutiv, Ismajl Ajeti.
Ky i fundit sipas Gazetës Insajderi përveç pagesës së rregullt 6 mijë euro, ka përfituar nga FFK në emër të benificioneve edhe 11 mijë euro.
Përveç tij edhe anëtarët tjerë të Komitetit Ekzekutiv thuhet se kanë përfituar një seri bonusesh të majme, të cilat është raportuar se po i heton Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Kujtojmë se gjyqtari Mentor Ajeti në minutën e 40’të të dielën pas një rivënie nga këndi për Dukagjinin, derisa topi ishte në lartësi kishte referuar për ‘faul’ në favor të Prishtinës dhe e kishte ndalur lojën. Por, në atë moment topi kishte hyrë në rrjetë.
Përkundër faktit se loja kishte qenë e ndërprerë kur ishte realizuar autogoli i Mërgim Pefqelit, ai kishte vendosur ta pranonte si të rregullt golin pas rishikimit në VAR.
Rreth kësaj çështje skuadra e Prishtinës kishte kërkuar nga FFK të përsëritet ndeshja, por Komisioni i Garave e refuzoi këtë ankesë duke e vlerësuar si të pabazuar.
Pas këtij vendimi ka ardhur reagimi nga kryeqytetasit, saktësisht zyrtari i klubit Kushtrim Sopa.
Sopa përmes një postimi në Facebook shkroi se drejtësia do të duhej vinte në vend dhe të vendoset që ndeshja të përsëritej për shkak të shkeljes së rregullave esenciale të lojës.
Ai mes tjerash potencoi se klubi i Prishtinës nuk do të ndalet me kaq dhe se do të respektoj rregullat e ankimimit, ndërsa do të vazhdojë me ankesë në shkallën e dytë, pastaj edhe në UEFA, FIFA dhe CAS. /gazetametro.net