Dita që do të ndryshojë futbollin? Jo, jo shumë shpejt, por nëse ka mundësi që kjo të ndodhë, do të fillojë sot. Gjykata e BE-së mblidhet sot për çështjen “Superlega”, me dilemën rreth së cilës sillet e ardhmja e futbollit në Evropë. Do të caktohet nëse UEFA është një pozicion “monopolist dhe dominues”, siç mendon Juventusi, Barcelona dhe Real Madridi apo jo.
A ka vend në futbollin europian për një kompeticion të ri paralel, të organizuar direkt nga klubet, apo kushdo që e bën këtë duhet të largohet nga ombrella e UEFA-s? Përgjigjen ndoshta do ta dimë vetëm në fund të vitit, ndoshta ndërsa sytë e tifozëve do të drejtohen drejt Katarit për Botërorin. Megjithatë, procesi do të fillojë në Luksemburg sot.
Gjykata e Drejtësisë së BE-së do të marrë në shqyrtim vendimin e gjyqtarit spanjoll Manuel Ruiz de Lara, të cilin UEFA dhe La Liga e kanë kundërshtuar. Në sallat spanjolle, çështja gjithsesi ka kaluar në duart e një gjyqtari tjetër, por loja më e rëndësishme tashmë po luhet në fushën kontinentale.
15 gjyqtarë do të thirren për të dëgjuar dhe shqyrtuar arsyet e palëve të përfshira: nga njëra anë, tri klubet që i kanë qëndruar besnik projektit të Superligës, pa lajmëruar largimin dhe pa negociuar asgjë me UEFA-n; nga ana tjetër një seri e tërë ligash dhe federatash, padyshim duke përfshirë UEFA-n, ECA-n dhe një numër të madh qeverish, që kanë bërë luftë ndaj projektit.
Vetë institucionet e BE-së e kundërshtojnë Superligën dhe tashmë kemi pasur mundësinë ta dëgjojmë zërin e tyre. Më 23 nëntor, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë mbi politikën e BE-së për sportin, duke kërkuar shprehimisht "një model sportiv evropian që njeh nevojën për një angazhim të fortë, integrimin e parimeve të solidaritetit, qëndrueshmërisë, gjithëpërfshirjes për të gjithë, konkurrencës së hapur, meritës sportive dhe drejtësisë, ndaj për këtë arsye është kundër garave separatiste që minojnë këto parime dhe rrezikojnë stabilitetin e të gjithë ekosistemit sportiv”.
Një pasazh që synon dukshëm projektin e Superligës, gjëja më separatiste që është shfaqur në botën e sportit kohët e fundit. Për më tepër, rezoluta e Parlamentit Evropian "njeh rolin e federatave në menaxhimin e fushës së disiplinave të tyre dhe inkurajon një koordinim dhe bashkëpunim më të ngushtë me autoritetet dhe të gjitha palët e interesuara".
Megjithatë, vetëm rezolutat nuk janë të mjaftueshme. Do të duhet të pritet që Gjykata e Drejtësisë të vendosë për të kuptuar se si do të përshtatet Superliga në kontekstin komunitar, me shembullin ende në fuqi të Euroligës së basketbollit, në pronësi të plotë, aktivitet paralelisht me garat e zhvilluara nën patronazhin e FIBA-s.
Nëse nga njëra anë ekziston një "model europian" i treguar nga rezoluta e nëntorit dhe me pothuajse të gjithë anëtarët e Bashkimit Europian që e mbështesin atë, nga ana tjetër është një shembull që Superlega dëshiron të bëjë të sajën, duke treguar se si në një sport tjetër ka mundur të krijojë një ligë "separatiste".
Nuk është i vetmi rast, sepse diçka e ngjashme ka ndodhur edhe me Ligën Ndërkombëtare të Notit, e cila që nga viti 2019 zhvillon turnetë e saj paralelisht me ato të organizuara nga Fina. Vetëkuptohet se futbolli në krahasim me sportet e tjera ka një peshë krejtësisht të ndryshme politike. Tashmë është thënë mjaft për presionin e bërë nga Britania e Madhe që nga dita e shpalljes së Superligës.
Ama kjo ka të bëjë me një shtet që nuk është më anëtar i Bashkimit Evropian. Brenda kufijve të BE-së, Gjermania do t’i japë mbështetjen e saj Komisionit Evropian dhe UEFA-s në këtë proces, si dhe Portugalia, e cila duhet të përfaqësohet nga një ish-gjyqtar i Gjykatës së Drejtësisë së BE-së, José Luís Da Cruz Vilaça. Sa i përket Spanjës, avokatia shtetërore dha mendimet e saj, së bashku me 14 vende të tjera anëtare të Bashkimit Evropian, përfshirë Italinë.
Lufta, e cila tashmë ka filluar disa kohë më parë, është duke u përgatitur për betejën përfundimtare. Sot është radha e arsyeve të të gjitha palëve të përfshira: UEFA, FIFA, Superliga, E22 Sports Management, ligat dhe federatat, shoqatat dhe qeveritë që kanë paraqitur zyrtarisht vëzhgimet e tyre.
Nesër radha e pyetjeve, me daljen në skenë të 15 gjyqtarëve të Gjykatës së Drejtësisë së BE-së. Vendimi pritet mes nëntorit dhe dhjetorit, në një klimë të plotë Botërori, me mundësinë e ndryshimit të përjetshëm të skenarëve të futbollit europian.
Pa harruar se UEFA, me Juventusin, Barcelonën dhe Real Madridin, ka punë të papërfunduara, të pazgjidhura kurrë. Nëse gjyqtarët do të afirmonin arsyet e organit më të lartë të futbollit europian, nuk do t’u mbetej shumë shtigje të tjera tre “rebelëve”.