Ritualet satanike duket se po përhapen kudo në Shqipëri. Madje ka pasur edhe sakrifica.
Alarmin e jep eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço. Ai deklaroi se grupet satanike janë shtuar shumë në Shqipëri, teksa sipas tij këtu ata kanë gjetur “parajsën”.
Ai renditi varrezat e Durrësit dhe të Shkupit ku janë kryer rite satanike. Por ndryshe nga Shqipëria, në Maqedoninë e Veriut personat që e kanë kryer këtë veprim këtë janë ndëshkuar.
“Këto rite bëhen kryesisht në orët e vona të natës dhe në vende të ndryshme, përfshi edhe varrezat. Ka njerëz që përmes magjisë së zeze duan të ndikojnë në botën e përtejme në shpirtrat e personave që kanë urryer apo që i kanë dashur duke i dërguar sipas tyre në ferr apo duke i rikthyer ata që kanë dashur. Pak kohë më parë mësuam se një rit satanik ishte bërë në varrezat e Durrësit. Sëfundmi kemi patur edhe një rast në varrezat e Shkupit”, tha Karamuço duke theksuar se sektet satanike bëjnë rite të ndryshme.
“Ka rite që xhirohen gjatë natës dhe hidhen në rrjetet sociale. Ka patur mjaft raste që janë shkruar gjëra të ndryshme mbi pllakata në këto varreza. Secili sekt ka doktrinën e tij. Ata e bëjnë këtë për interesat e tyre kriminale”, tregon Karamuço.