Periudhë e errët për Cristiano Ronaldon, që ka mbetur “thatë” në pesë ndeshjet e fundit radhazi. Kjo nuk kishte ndodhur që nga viti 2013, teksa ylli luzitan qëndroi në stol për 70 minuta gjatë ndeshjes së barazuar nga “Djajtë e Kuq” ndaj Burnley.
Trajneri i Manchester United, Ralf Rangnick, doli në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes kundër Southampton, duke folur për mungesën e golave të ish-sulmuesit të Juventusit: "Ai duhet të shënojë më shumë gola, padyshim, sepse po krijojmë raste.
Ronaldo nuk ka shënuar mjaftueshëm, por s’është problem vetëm për të. Kjo ndodh edhe me lojtarët e tjerë. Ne nuk po shënojmë mjaftueshëm si skuadër. Nëse shikoni të gjitha rastet që kemi krijuar, duhet të përmirësohemi në finalizim në javët në vijim".
Nga ana tjetër, Cristiano Ronaldo po planifikon një takim me agjentin e tij Jorge Mendes së shpejti për të përcaktuar nëse do ta mbajë ende fanellën e Manchester United në të ardhmen. Këtë fakt e raporton "Daily Star", që shpjegon se si ish-lojtari i Juves dhe Real Madridit është zhgënjyer nga rikthimi në “Old Trafford”.
Për këtë arsye është i vendosur të vlerësojë të gjitha opsionet e mundshme në fund të sezonit, duke përfshirë lamtumirën nga shtëpia e tij, që e mirëpriti verën e kaluar. Ronaldo pritet të takohet me Mendes në mars, kur të kthehet në Portugali për të luajtur ndeshjen delikate kualifikuese të “Katar 2022” kundër Turqisë.
Sipas gazetës angleze, ylli portugez (i cili ka një kontratë deri në vitin 2023) do të qëndrojë në pritje për të zbuluar se cili do të jetë trajneri i Manchester United sezonin e ardhshëm. Marrëdhënia me trajnerin e përkohshëm Ralf Rangnick nuk është aspak e mirë. Për pasojë, qëndrimi i gjermanit në stolin e trajnerit do të thotë automatikisht lamtumirë e CR7 nga “Djajtë e Kuq” në verë.