Nëse do të ishte një film, tashmë do ta kishte titullin “Rënia e perëndive”. Por, rasti në fjalë nuk ka asnjë lidhje me Luchino Visconti. Gjithsesi, sezoni aktual i ngjan një lloj “nate të thikave të gjata”, për 34-vjeçarin Lionel Messi dhe 37-vjeçarin Cristiano Ronaldo.
Rënia e dy fenomenëve dominues të futbollit botëror për 15 vitet e fundit tashmë përshkruhet nga titujt e mediave në Francë dhe gjithashtu në Angli. Tabloidët e cilësojnë portugezin si "të mbaruar". Ndërsa në Paris ka nga ata që po pyesin për vlerën reale të transferimit veror të argjentinasit nga Barcelona.
Dukej si goditja e shekullit dhe në vend të kësaj shifrat janë të pamëshirshme. Tani të rinjtë shpërthyes si 23-vjeçari Kylian Mbappé dhe 21-vjeçari Erling Haaland janë gati t’i mposhtin ata, ndoshta duke dueluar edhe për disa muaj me Robert Lewandowski, i cili në moshën 33-vjeçare vazhdon të shënojë më shumë se kushdo.
Polaku i Bayernit tashmë ka 35 gola në 29 ndeshje. Shifra impresionuese po të kihet parasysh se vitin e kaluar e mbylli me 48 gola në total. Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse Lewandowski shkaktoi polemika, krahasuar me vitin e Lionel Messit që i dha atij "Topin e Artë", pavarësisht 10 golave më pak në total.
Argjentinasi, megjithatë, u largua nga Barcelona si "Pichichi" i La Liga, pasi fitoi Kupën e Spanjës. Më pas udhëhoqi Albiceleste drejt triumfit në Kupën e Amerikës, si golashënuesi dhe asistuesi më i mirë në atë kompeticion.
Për Messin, ndryshimi i klubit ishte një përvojë më shqetësuese se Ronaldo, pasi kurrë nuk kishte luajtur jashtë Spanjës dhe kurrë nuk duhej të mësonte një gjuhë tjetër. Mosha kur ndryshon ekipin mund të mos ketë rëndësi, por rrethanat mund të jenë vendimtare. Do të jetë më e vështirë për të që të qëndrojë në nivelin e tij të zakonshëm të golave.
Këtë e dëshmon tashmë rrugëtimi në Ligue 1, i cili teorikisht duhet të ishte kthyer në pasarelë, duke shënuar dhe nxjerrë në pah talentin e tij të pafund. Sidoqoftë, për Leon gjithçka shkoi keq. Mes përgatitjeve të vona, thirrjeve ndërkombëtare dhe Covid-19, ndeshjet e tij janë vetëm 13 në kampionat.
Referuar golave, Messi ka shënuar vetëm dy të tillë. Një gjë e papërfillshme. Liga e Kampionëve ka shkuar më mirë: pesë ndeshje dhe po aq gola. Në total, megjithatë, shumë pak. Klubi i Emirit të Katarit mund të dominojë renditjen kombëtare, por nuk është shndërruar në një ekip që i shërben yllit të tij.
Aq më shumë Neymarit, tashmë 30-vjeçar, i cili gjithashtu kishte zgjedhur Parisin për të dalë nga hija e Messit. Mbappé shkëlqen për të gjithë me 19 golat e tij në 29 ndeshje, shto 16 asiste (10 më shumë se Leo).
Me pak fjalë, përshtypja është se Messi nuk ka më gjendje të bëjë diferencën në një futboll shumë më fizik, ku atij nuk i kursehen ndërhyrjet e ashpra. Driblimet e tij të famshme po bëhen gjithnjë e më të rralla.
Deri më tani nuk kemi parë kurrë atë rrjedhshmëri në lojë që ishte rregull te Barcelona. Kështu, mediat franceze e kritikojnë hapur, duke shkuar deri aty sa të pyesin nëse ishte një investim i mirë, përtej biznesit për ta marrë falas në "Ville Lumière".
Ronaldo gjithashtu nënshkroi një kontratë 2-vjeçare me Manchester United, por për 15 milionë euro, plus 8 bonuse. Golat në Premier League, ku ai kishte lulëzuar para mbretërimit 9-vjeçar në Madrid, janë vetëm 8. Penalltia e humbur të premten, në raundin e katërt të "FA Cup", rezultoi vendimtare në eliminimin ndaj skuadrës së Championship.
Kjo shkaktoi shpërthimin e mediave vendase: “Ka mbaruar, pritjani rrogën”! Ashtu si Messi, megjithatë, ish-lojtari i Juventusit ka bërë më mirë në Ligën e Kampionëve deri më tani: 6 gola në 5 paraqitje. Bilanci i pjesshëm i kryegolashënuesit të fundit të Serie A (29 gola) është ndoshta më i mirë se rivali i përjetshëm, por ende në rënie…