Baseli është në mesin e kampionatit elitar të Zvicrës dhe është në garë për titull kampioni.
Pjesa e dytë e kampionatit nis në këtë fundjavë.
Lugano dhe Baseli luajnë përballë njëri-tjetrit të dielën nga ora 16:30, në kuadër të xhiros së 19-të.
Është ndeshje për vendin e parë dhe fitorja është e rëndësishme për të dyja skuadrat.
Baseli do të bëhej lider i ri në ligë, ndërsa Lugano do të shkëputej në tabelë.
Xherdan Shaqiri ka luajtur rol vendimtar në kthimin e rezultateve pozitive të Baselit, por edhe në kthimin e tifozëve në stadiumin “St. Jakob-Park”.
33-vjeçari u kthye te Baseli në gusht të vitit të kaluar dhe në 16 ndeshjet e edicionit aktual me skuadrën helvetike, ka shënuar shtatë gola dhe ka dhuruar nëntë asistime në të gjitha garat.
Mediumi “Sport.ch” ka shkruar se me kthimin e Shaqirit, edhe tifozët kanë ngjallur shpresën se titulli do të vijë në Basel në këtë edicion.
“Në stinorin vjeshtor në stadiumin e vet, Baseli ishte ndjekur në shtëpi me mesatare prej 26 mijë e 329 tifozëve. Falë rezultateve pozitive dhe kthimit të Xherdan Shaqirit, numri i vizitorëve në St. Jakob-Park është rritur ndjeshëm. Pas fazës së pandemisë së koronavirusit, numri i tifozëve në Basel ishte me mesatare prej 21 mijë deri në 22 mijë tifozë, para këtij edicioni. Herën e fundit kur Baseli e kishte arritur këtë mesatare të tifozëve në fushën e vet ishte në edicionin 2016/17”, ka shkruar mediumi zviceran të shtunën.
Dhe Baseli po të shtunën ka dhënë njoftim pozitiv sa i përket këtij aspekti.
Biletat sezonale në pjesën ku mblidhen tifozët ultras të Baselit janë shitur të gjitha.
“Lajm fantastik për nisjen e pjesës së dytë të kampionatit. Biletat sezonale për tribunën ‘D-Parkett’ (Muttenzerkurve) në St. Jakob-Park, janë shitur krejtësisht. Nuk ka vende të lira! 16,500 bileta sezonale janë të shitura tashmë. Faleminderit për besnikërinë dhe përkrahjen të dashur tifozë. Po presim një pjesë të dytë të suksesshme të kampionatit, të mbushur plot me tifozë në stadium”, ka shkruar Baseli në faqen zyrtare.