“20-vjeçarja nga Kosova mbështet për muri të gjitha yjet në Danimarkë”.
Ky është titulli i shkrimit të sajtit danez “europamester.dk” për hendbollisten e re, Verona Rexhepi.
Pas tri xhirove, Verona është e para në listën e golashënueseve më të mira në kampionatin e Danimarkës, që njihet si njëra prej më të fortëve në botë. Hendbolli në Danimarkë është shumë i zhvilluar, sidomos te vajzat, ndërsa aktualisht Verona është në krye të listës së golashënueseve, shkruan Koha.net.
I ka 22 gola në tri ndeshje, sa edhe një lojtare tjetër. Por kontributi i Veronës në aspekte tjera të lojës bën që ajo të jetë e para në listë.
Lista mund të ndryshojë ndërkohë, por 22 golat e deritashëm dëshmojnë potencialin e madh të 20-vjeçares.
“Beku i majtë, Verona Rexhepi, që është rritur në Danimarkë por prezanton Kosovën, ka pasur start fantastik të edicionit me shumë gola dhe lojë të mirë në përgjithësi. Është e para në listën e golashënueseve”, ka shkruar sajti danez.
Në fakt Verona nuk e prezanton Kosovën. Ajo është pjesë e programit për zhvillim të Federatës së Hendbollit të Danimarkës. Vlerësohet me potencial të madh që në të ardhmen të luaj për Danimarkën, që ka njërën prej përfaqësueseve më të mira në Evropë. Deri më tani është paraqitur në miqësore në grupmosha të reja, por jo edhe në ndeshje zyrtare, në mungesë të pasaportës daneze.
Verona është pjesë e skuadrës Skanderborg. Në ndeshjen e parë të edicionit i kishte katër gola.
Në ndeshjen e dytë, në humbjen 35:33 nga Kobenhavn, i realizoi nëntë gola nga 13 tentime dhe po ashtu i kishte katër asistime. Zuri vend në ekipin më të mirë të xhiros në elitën daneze.
Në kuadër të xhiros së tretë, më 22 shtator, në fitoren 34:28 të Skanderborgut ndaj Ringkobingut, Verona i shënoi nëntë gola nga 11 tentime dhe i kishte dy asistime. Sërish zuri vend në ekipin më të mirë të xhiros. Madje ishte më e mira e xhiros, në bazë të statistikave.
“Verona Rexhepi luajti shkëlqyeshëm javën e kaluar, por u paraqit edhe më mirë këtë xhiro. Ka paraqitjen më të mirë të xhiros, bazuar në pikë. Nëntë gola, dy asistime, një penallti e siguruar dhe tre topa të fituar”, shkruan “tophaandbold.dk” në prezantimin e ekipit më të mirë të xhiros së tretë.
Dy motra të Veronës kanë luajtur në të kaluarën për Kosovën. Vëllai i tyre është në fillim të karrierës në futboll dhe po ashtu vlerësohet talent.
“Verona Rexhepi është shumë e talentuar dhe aktualisht është numër një në listën e golashënueseve në ligën e hendbollisteve”, ka shkruar sajti zyrtar i klubit Skanderborg./Katror.info