Brohoritja më e fortë e vitit ndodhi gjatë golit të Nedim Bajramit në ndeshjen mes Shqipërisë dhe Italisë.
Edhe pse në fund Shqipëria humbi 2-1, rekordi i golit më të shpejtë të shënuar ndonjëherë në një kampionat europian (22 sekonda), nuk do të harrohet lehtë dhe mban emrin e një shqiptari.
Gjithashtu, rekord ishin edhe brohoritjet nga tifozët shqiptarë. Në edicionin e së dielës të Stammplatz, podkasti i përditshëm i futbollit i BILD, reporteri Phillip Arens, përshkruan përshtypjet e tij nga skenat që u zhvilluan pas golit të parë të shqiptarëve.
“Një festë e tillë goli? Nuk mbaj mend të kem përjetuar ndonjëherë diçka të tillë. Gjithçka u shemb këtu! 50 mijë shqiptarë në stadium, këtë duhet ta imagjinoni. Thuhet se në qytet kishte rreth 100 mijë shqiptarë. Mbeta pa fjalë”, tha gazetari i BILD.