Real Madridi nuk është duke e konsideruar mundësinë e shitjes së Rodrygo Goes këtë verë.
Braziliani ka fituar një vend startuesi në formacion për herë të parë sezonin e kaluar, dhe me largimin e Karim Benzemas, pritshmëritë ishin që ai të bënte një hap para në aspektin e golave, por kjo nuk ka ndodhur.
Rodrygo megjithatë ka shënuar 13 gola dhe ka bërë tetë asistime këtë sezon, duke u bërë lojtari i tretë që kontribuon më së shumti në ekip vetëm pas Vinicius Junior dhe Jude Bellingham.
Por, nëse shohim pak më poshtë sipërfaqes, atëherë ka dëshmi se ai nuk po regjistron statistika të mira njësoj si bashkëlojtarët e tij, pasi brazilianit po i duhen mesatarisht 121 minuta për të regjistruar një gol ose asistim.
Ai gjithashtu ka pasur nevojë që të regjistrojë 9.25 goditje drejt portës për të shënuar, duke qenë mbrapa në këtë aspekt në krahasim me Joselu (6.37), Brahim (6.25), Vinicius (5.4) dhe Bellingham (3.5) të cilët kanë bërë më mirë sipas The Athletic.
Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se gjiganti spanjoll po e konsideron largimin e tij, pasi e shohin brazilianin si pjesë e gjeneratës së re e cila do ta udhëheq Real Madridin përpara.
Tashmë ishte thënë se Rodrygo me shumë mundësi do të ishte ‘lojtari i sakrifikuar’ nga Ancelotti për t’i krijuar hapësirë Kylian Mbappes i cili pritet të transferohet gjatë verës në Spanjë.
Gjërat mund të ndryshojnë pak sezonin e ardhshëm nëse Rodrygo kalon pjesën më të madhe të kohës si rezervist. 23-vjeçari është në një moshë që i duhet të luajë futboll rregullisht dhe nuk do të ndihej rehat me mungesën e minutave./Telegrafi/