Shqiptarët që luajnë në kampionati italian të futbollit janë të shumtë dhe të gjithë janë talente me veçori të shumta.
Megjithatë, duket se përtej Adriatikut po lind një tjetër yll, për të cilin po flet e gjitha Italia. Bëhet fjalë për Delis Gjecin, një 14-vjeçar i cili është një emër për t’u mbajtur mend. Ai ka lindur në Itali më 27 shkurt të vitit 2009, nga prindër shqiptarë dhe tashmë është në pronësi të Interit, ku aktivizohet me skuadrat e moshave.
Në sezonin e shkuar, ai e mbylli sezonin me 28 gola të shënuar për Pordenonen, pasi për shkak të moshës nuk mund të aktivizohej me zikaltrit. Shifrat sezonale të Gjecit janë mbresëlënëse duke mos lënë dyshime për talentin e tij, konkretisht: 12 gola në 6 ndeshje me U15, nga 23 gjithsej të shënuar nga skuadra.
Gjeci ka shënuar në çdo ndeshje të luajtur, gol në debutim kundër Atalantës, dopjetë kundër Brescias, gol kundër Veronës, tripletë në Cagliari, dopjetë në Cittadella dhe tripletë në Como. Mesatarja, 1 gol në 2 paraqitje me të miturit U-16.
Një tjetër veçori e tij që bie në sy është se ai shënon në çdo mënyrë, me forcë, me dhunë, i vetëm, nga një goditje e lirë, si ky rast këtu.
Për sa i përket fizikut, ai tashmë është mbi 1.80 metra i gjatë. Gjeci ka karakteristikat e një bomberi me numër 9, por ka edhe vizionin e lojës dhe cilësitë teknike dhe balistike të një mesfushori sulmues, roli i tij i preferuar. Gjithë kësaj, ai i shton driblimin dhe shpejtësinë si sulmues anësor, gjë që e bën atë një element të paparashikueshëm dhe të vështirë për t’u lexuar nga kundërshtarët.
Momentalisht, Gjeci aktivizohet me kombëtaren italiane U-16, teksa vijon të rritet në nivele të larta të futbollit. Sigurisht, për kombëtaren shqiptare të futbollit do ishte një vlerë e shtuar, por FSHF do duhet të veprojë shpejt për t’i dërguar një ftesë, pasi me talentin e tij, nuk do ishte çudi që Italia ta përfshinte në listat e saja.