Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës ka mbajtur mbledhjen e vet të radhës nën drejtimin e presidentit Agim Ademi.
Në këtë mbledhje KE ka miratuar dhe njëkohësisht ka falënderuar stafin e FFK-së, ekspertët nga UEFA dhe FIFA për hartimin e Strategjisë për zhvillimin e futbollit të femrave. Ai me këtë rast konstatoi se kjo strategji ka një ndikim të madh në sfera të ndryshme në zhvillimin e gjithëmbarshëm të futbollit.
Po ashtu KE diskutoi edhe për Strategjinë e përgjithshme të zhvillimit të futbollit ku po punojnë me përkushtim të gjithë sektorët e FFK-së dhe pritet shumë shpejt përfundimi i saj.
KE analizoi paraqitjet ekipeve kombëtare për të cilat ka vlerësuar se nuk mund të thuhet për ndonjë sukses, por që nevojitet një konsolidim i tyre në vazhdim. Përjashtim bëjnë Kombëtarja “A” dhe U17 e femrave të cilat deri tash kanë arritur suksese në garat e tyre.
KE analizoi dhe shqyrtoi rrjedhën e kampionatit në të gjitha rangjet, duke konstatuar se garat po shkojnë sipas dinamikës dhe vërehet një ngritje në organizim, rritje të cilësisë dhe frymë sportive.