Nuk është fans i madh i parasë dhe diçka të tillë e ka treguar edhe këtë herë. Diego Simeone nuk ka ndërmend të braktisë Atletikon e Madridit. Trajneri argjentinas i madrilenëve kishte marrë një ofertë marramendëse në ditët e kaluara nga vendi saudit, por e ka kthyer mbrapsht me një “jo, faleminderit”.
Gjithashtu thuhet se kjo nuk është hera e parë që ekipi arab ka pyetur për shërbimet e Simeones dhe se një ofertë tjetër fitimprurëse është paraqitur gjithashtu edhe majin e kaluar.
53-vjeçari argjentinas shpreson të rikthejë edhe një herë skuadrën madrilene në korsinë e titullit, duke rivalizuar kështu me Realin dhe Barcelonën. Merkato e bërë deri më tani duket interesante dhe e mbushur me emra që kanë eksperiencë apo edhe talent.
Simeone numëron 627 ndeshje në krye të stolit të Atletikos së Madridit, me ekipin që ka marrë 2.00 pikë për ndeshje.
Tekniku argjentinas nënshkroi një zgjatje kontrate dy vite më parë, që e mban të lidhur me klubin spanjoll deri në fund të sezonit 2024 dhe ka treguar se do të dëshironte të vazhdonte punën në klub.