Rinovimi me kuqezinjtë duket i kryer, mungon vetëm zyrtarizimi, ndërkohë që Rafael Leao hipotezon një të ardhme (ndoshta shumë të largët, shpresojnë tifozët e Milanit) në Premier League.
I intervistuar nga revista “Gaffer”, e specializuar në modë dhe muzikë, portugezi ka folur për pasionin e tij të madh për repin, origjinën dhe gjithashtu të ardhmen. Kur u pyet se ku do të dëshironte të luante në të ardhmen, Leao u përgjigj:
"Unë do të thoja në Premier League. Mendoj se çdo lojtar në botë dëshiron të luajë atje, është një ligë tërheqëse dhe konkurruese. Ka klube të mëdhenj, tifozë të zjarrtë. Seria A është e pozicionuar mirë, por patjetër do të preferoja Premier League në të ardhmen".
Ndër të tjera, Leao foli edhe për pikat e tij të referencës: "Cristiano Ronaldo dhe Ronaldinho, lojtarë që i kam ndjekur dhe që jam përpjekur t’i imitoj që i vogël. Mësova të bëj gjërat që bëj sot, duke parë videot e tyre. Ata janë të dy idhujt e mi të mëdhenj dhe do të doja të kisha një karrierë të ngjashme me të tyren".
Dhe përsëri, për ambiciet personale: "Do të doja të fitoja Champions League dhe ‘Topin e Artë’. Do të doja që të isha ndër më të mirët".