Trajneri i Dritës, Akis Vavalis ka folur në një konferencë për media në prag të ndeshjes kundër Llapit në kampionat.
Drita udhëton në Podujevë të enjten për t’u ndeshur me Llapin në stadiumin “Zahir Pajaziti” me fillim nga ora 15:00.
Trajneri grek Vavalis ka vlerësuar ekipin e Tahir Batatinës, ndërkohë që është shprehur i lumtur me punën e futbollistëve të tij në seancat stërvitore.
“Luajmë përballë një skuadre të fortë siç është Llapi. Do të jetë një ndeshje e vështirë. Unë jam shumë i lumtur për mënyrën se si futbollistët po stërvisin”, tha Vavalis në konferencë për media, shkruan lajmi.net.
“Së pari kam biseduar me futbollistët. Ata duhet të fokusohen te Llapit. Njerëzit mendojnë për Ballkanin, por ne jemi të fokusuar ndaj Llapit. Padyshim lojtarët janë të fokusuar. Kemi stërvitur edhe në fushë me bari natyral të përshtatemi edhe me fushën në Podujevë”, theksoi ai.
“Ditë pas ditësh djemtë po tregojnë një eufori, një forcë dhe po fillojnë të implementojnë filozofinë time. Qëllimi im është që në ndeshjen e radhës të kemi një dominim sikurse ndaj Ferizajt”.
“Gjithashtu futbollistët pas çdo dite po më bëjnë më shumë optimist për ndeshjen e radhës”, shtoi ai.
Në konferencë për media ishte i pranishëm edhe sulmuesi maqedonas, Marko Simonovski.
Drita pas 31 ndeshjeve është lidere me 63 pikë, një më shumë se Ballkani./Lajmi.net/