Kryetari i Partisë Demokratike, prof. Dr. Sali Berisha shprehet i dërrmuar nga vdekja e ish Presidentit të Republikës, Bujar Nishani dhe njofton ditë zie për partinë që ai drejton.
"Ish presidenti Bujar Nishani, ishte ikonë e vlerave më të larta morale të njeriut, ndershmërisë, atdhetarisë dhe përkushtimit. Ai ishte burrështetasi i shquar, që përfaqësoi kombin dhe Shqipërinë me dinjitet të veçantë dhe urtësi në arenën ndërkombëtare duke i dhënë nder dhe vlerë institucionit të presidentit, shtetit dhe qytetarëve shqiptarë", thotë Berisha në një mesazh të gjatë për vdekjen e Nishanit.
"Ish presidenti Bujar Nishani në këto 30 vite, si një shërbëtor i qytetarëve dhe vendit të tij përmbushi me nder detyra të rëndësishme nga drejtues drejtorie në Ministrinë e Mbrojtjes, ministër i Rendit Publik dhe deri në President i Republikës.
Bujar Nishani ishte gjithashtu një drejtues i shkëlqyer dhe efiçent e i dashur i Partisë Demokratike, deputet, ministër, dhe kandidat i votuar për president të Republikës nga mazhoranca e kësaj partie.
Personalisht unë kam patur tek Bujar Nishani njërin prej bashkëpunëtorëve më të afërt, më të aftë, më të dashur dhe më të çmuar, më të virtytshëm që do të mbetet gjithmonë në memorien time si mirenjohje e thellë për bashkëpunimin e ngushtë që kemi patur si krenari e veçantë që pata një mik fisnik si ai.
Ndaj sot është ditë zie dhe dhimbje të thellë për familjen e nderuar Nishani që humbën bashkëshortin dhe prindin e tyre të mrekullueshëm e shembullor, për miqtë dhe të afermit e tij që humbën një mik të dashur që do ju mungojë gjithmone, për Partinë Demokratike që humbi njërin prej drejtuesve më të talentuar, për shtetin dhe kombin shqiptar që humbën sot sherbetorin besnik dhe te perkushtuar, shtetarin e aftë e të ndershëm, patriot dhe fisnik", thotë Berisha ndër të tjera në mesazhin e tij.