Mjafton të kujtosh frazën “Inceneratorët nuk ekzistojnë” për të kuptuar që Jorida Tabaku kryekëput i ka hyrë një “lufte”, themelet e së cilës janë ndërtuar mbi mashtrimin.
Me siguri, çdokush do fikte televizorin për të mos dëgjuar më Tabakun me broçkullat e njëpasnjëshme e të ditëpërditshme, që me sa duket nuk e prekin dhe as nuk e skuqin, qoftë dhe moralisht nga turpi i gënjeshtrave.
Të mohosh diçka, e cila është bërë transparente për të gjithë, në detaje nga A në Zh, kërkon guxim. Dhe kryekomisionerja e Komisionit Hetimor të Inceneratorëve e paska me tepri, nga fakti se nuk dorëzohet pavarësisht të gjithë të vërtetave që i “përplasen” në fytyrë dita-ditës duke i provuar të kundërtën.
Të thuash “inceneratorët nuk ekzistojnë, janë thjesht iluzion”, të kujton shprehjen e kryeministrit Edi Rama “ta marrësh popullin për budalla”.
Gazeta Shqip ju sjell të gjitha herët kur Tabaku ka dalë blof, të cilave i kemi humbur dhe numërimin. Po e nisim me:
I - “Inceneratorët nuk ekzistojnë”
I dëgjuam shpesh gjatë inspektimeve që bënë në tre inceneratorët, të dërguarit e Jorida Tabakut, si Belind Këlliçi, Ina Zhupa, Luciano Boci etj, se impiantet e përpunimit të mbetjeve nuk ekzistojnë.
Por pasi u bindën dhe vetë kur prekën nga afër investimet gjigande të bëra në këto 3 qarqe, dhe pasi morën të gjitha informacionet e nevojshme nga drejtuesit teknikë përkatës, ata u larguan pa fjalë, për t’u “armatosur” me të tjera akuza boshe nga kryetarja Tabaku.
II - “Nuk ka leje mjedisore për 3 inceneratorët”
Dy ditë më parë Gazeta Shqip provoi me dokumente se lejet për 3 inceneratorët, atë të Tiranës, Fierit dhe Elbasanit janë totalisht në rregull me ligjin.
“Kemi parë si është bërë PS sot mburojë e dëshmitareve të marrë në pyetje. Ajo që ka ndodhur me procedurën e Elbasanit që nuk është publikuar është procedurat me shkeljen më flagrante. E njëjta gjë ka ndodhur me inceneratorin e Tiranës dhe të Fierit. Të tre nuk kanë pasur leje mjedisore, kanë shkelur me të dyja këmbët ligjin," u shpreh ajo.
Pra, kjo është totalisht e pavërtetë
III - “Koncesion i posaçëm për shitje energjie inceneratorit të Elbasanit për 25 vjet”
Tabaku deklaroi se Gjiknuri ka firmosur koncesion të posaçëm për shitje energjie inceneratorit të Elbasanit për 25 vjet.
Por ky ishte blofi i radhës pasi në fakt, energjia elektrike që prodhon inceneratori i Elbasanit, i ka kaluar shtetit.
“Sot, Tabaku vijoi me të tjera shashka teksa deklaroi se paskam firmosur koncesion të posaçëm për shitje energjie inceneratorit të Elbasanit për 25 vjet. Sërish mashtrim! Autorizimi i dhënë kompanisë për prodhim energjie nuk është koncesion por është detyrim i lindur nga kontrata bazë që kompania kishte firmosur me Ministrinë e Mjedisit.
Në përfundim të periudhës 7-vjeçare të koncesionit, kompania bashkë me të drejtën e fituar nga autorizimi i dhënë nga Ministria e Energjisë për prodhim energjie i kalon shtetit shqiptar,” ishte përgjigjia që mori nga vetë Gjiknuri.
IV - “Ish-administratori e ka rrogën 9 mln lekë”
Objektiv i sulmeve të Tabakut, u bë edhe Arenc Myrtezani, me rol ish-Administrator i ITËTF, të cilin e akuzoi për një rrogë stratosferike.
Ndërkohë Tabaku edhe pse me dokumentin në dorë gënjente duke thënë se paga e tij ka qenë 9 mln lekë.
Duke qenë se pagat tashmë janë lehtësisht të verifikueshme nga dokumentat që dolën, mund të shihet nga të gjithë që paga e Myrtezanit është 233.293.00 lekë.
Myrtezani: Paga ime është e ulët, në vlerësimin tim, po kjo është gjë tjetër. Në media kam parë që paga ime është dhe 13 mln lekë, nëse po flasim për ato dokumenta, nuk e di për çfarë page flet, bëje publike se nuk kam gjë për të fshehur..
Tabaku: Bëhet fjalë për 9 mln lekë..
Myrtezani: Atëherë më jepni lekët se m’i kanë vjedhur. Ju lutem të dyja palëve të më gjeni lekët se m’i kanë vjedhur. Këtu ke kartën time të bankës, urdhëro merre dhe shko te banka e konfirmo rrogën time.
V - “Një landfill ka jetëgjatësi 100 vite”
Këtë radhë gafën e bëri kolegu i Tabakut, Luciano Boci, i cili i ka hyrë një fushe për të cilën nuk ka dijeni fare.
Në një nga deklaratat e tij Boçi thotë se një landfill zgjat 100 vite, e për më tepër shton se është më afatgjatë se dhe një incenerator.
Por duket se sa e njeh mjedisin Boci, pasi në fakt është krejt e kundërta. Inceneratori është makineri që punon pafundësisht. Ashtu si çdo makineri apo pajisje tjetër elektronike, nëse mirëmbahet ka jetëgjatësi më të madhe. Nuk ka një afat fiks të kohës së funksionimit, pasi disa prej tyre i bëhet dhe remont herë pas here. Nërkohë është landfilli ai që ka një kapacitet mbushës.
Nëse e kalon kapacitetin, do të formohej një mal gjigant me plehra ashtu siç e kishte lënë vetë qeveria e Bocit. Përveç pamjes katastrofike, sillte dhe dëme të tjera të mëdha, si ndotja e ajrit në të gjithë qytetin, që rrjedhimisht do përbënte rrezik për banorët.
VI - “Nuk kryhet as incenerim e as riciklim i mbetjeve”
Një tjetër e dërguar e Tabakut, Ina Zhupa, bën kokëfortën duke thënë se provoi para shqiptarëve që aty nuk ekziston asnjë projekt që bën diferencim, riciklim e incenerim të mbetjeve, pavarësisht se pa të kundërtëtën me sytë e saj, dhe nuk kundërshtoi dot drejtuesin teknik që ia dëshmoi të gjitha.
“Provuam me fakte para shqiptarëve që aty nuk ekziston asnjë projekt i realizuar, asnjë themel godine i nisur që të ndertohet dhe kryej shërbimin e diferencimit, riciklimit dhe incenerimin e mbetjeve,” shkruante Zhupa në Facebook.
Por gënjeu sy për sy, pasi e pa fare mirë që puna në Inceneratorin e Tiranës nuk u ndal për asnjë moment pavarësisht inspektimit të tyr, me drejtuesin teknik Elton Bualli i cili i informoi në detaje për gjithçka rreth funksionimit të impiantit.
Përveç kësaj, inxhinieri i kantierit të impiantit të Tiranës, Klevis Lala, tregoi nga afër kapanonin e selektimit të mbetjeve, i cili ka vazhduar punën me kapacitet të plotë që prej nëntorit të vitit të kaluar.