Policia ka arrestuar 34-vjeçarin Vinçens Piroli i cili u plagos mbrëmjen e djeshme në Shkodër me pistoletë me silenciator. Piroli u dërgua për mjekim në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku dhe iu komunikua masa e arrestit me qëllim ekstradimin e tij në Malin e Zi.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, 34-vjeçari ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar bashkë me Dorjan Lalën 35-vjeç, për një vrasje në Ulqin, ngjarje e ndodhur me 4 korrik të vitit 2021 në Ulqin. Nga ky ekzekutim mbeti i vrarë shtetasi malazez Momçillo Gjurishiç.
Plagosja e Pirolit mbrëmjen e djeshme mendohet të ketë të bëjë me këtë ekzekutim në shenjë hakmarrjeje.
Policia ka nisur kontrollet intensive, ka sekuestruar kamerat e sigurisë për identifikimin e personave të cilët mund të kenë dijeni për ngjarjen.