Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se mos pjesëmarrja e kryeministrit Albin Kurti sot në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, është i papranueshëm, pasi siç tha ai, në këtë formë po i plotësohet dëshira Serbisë.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet gjendja në shëndetësi, Tahiri ka komentuar mospjesëmarrjen e kryeministrit Kurti në samitin e Tiranës.
“Është i papranueshëm fakti që kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti refuzon pjesëmarrjen në një samit kaq të rëndësishëm në këto rrethana të cilat po kalojmë edhe për çështje sigurie, edhe për shkak të anëtarësimit të gjithë rajonit në BE. Pra, refuzimi i tillë nga kryeministri Kurti është i papranueshëm”, tha Tahiri.