Çipat elektronikë vijnë kryesisht nga Azia e Amerika e Veriut. Por Gjermania dëshiron të avancojë – për shembull duke ndërtuar me investim amerikan një nga fabrikat më të mëdha të çipave të karbitit të silikonit.
Ai duket dhe shkëlqen si kristal i zi, por në të vërtetë është karbit silikoni sintetik. Tashmë është përdorur për shumë dekada në letrat zumperile. Për shkak të aftësive të veçanta si gjysmëpërçues, ky material ka tërhequr vitet e fundit vëmendjen e sektorit të automobilëve, raporton DW.
“Çipat e karbitit të silikonit konvertojnë rrymën direkte në rrymë alternative në mënyrë shumë efikase dhe kështu mund të rrisin largvajtjen e automjeteve elektrike,” shpjegon Stefan Bratzel nga Qendra e Menaxhimit të Automobilëve në Bergisch Gladbach.
Në vendin e termocentralit të qymyrit në Ensdorf, landi gjerman i Zarës (Saarland), prodhuesi amerikan Wolfspeed do të ndërtojë një nga fabrikat më të mëdha të çipave të karbitit të silikonit në botë. Sipas të dhënave të saj, kompania e listuar punëson rreth 3500 njerëz në 17 vende.