Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po merr pjesë në Forumin e Prespës në Maqedoninë e Veriut, me temë “Formësimi i të ardhmes së Ballkanit Perëndimor në arkitekturën bashkëkohore evropiane të sigurisë”, i cili zhvillon punimet nga sot, 16 deri 18 qershor në Ohër.
Presidentja Osmani duke ju drejtuar panelit përgjatë sesionit kryesor të hapjes zyrtare, me krerë të tjerë shtetesh, me temën: “Çfarë pas luftës në Ukrainë”?, tha se Kosova meriton të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.
“Dihet se edhe Gjeorgjia e Moldavia kanë marr statusin e vendit kandidat për në BE dhe kjo është shumë e rëndësishme për këto vende që të ndjekin rrugën evropiane”, tha ajo.
“Rrugën tonë për në BE nuk mund ta ndërpres Moska, mendoj se samiti i qershorit do të jetë i mirë edhe për Ballkanin Perëndimor. Kemi pritur shumë për liberalizimin e vizave, Kosova ka pritë 5 vjet dhe kjo është një padrejtësi ndaj Kosovës. Ju bëjë thirrje vendeve të BE-së që të miratojnë liberalizimin e vizave”, ka thënë Osmani,
Presidentja ka thënë se, nëse BE-ja dëshiron ta luftojë influencën e Rusisë në Ballkan, duhet ta ndihmojë Kosovën në liberalizimit të vizave, ta ndihmojë rajonin në integrimin në BE.
“Nëse BE-ja dëshiron të ndalojë influencën e Rusisë e Kinës të jenë të sinqertë me vendet e rajonit”, tha Osmani.
“BE-ja të qëndrojë e bashkuar, ajo duhet të jetë fuçia jonë dhe kjo do ta mund Rusinë. Duhet të jeni të bashkuar edhe për Kosovën, të përkrahni kandidaturën e vendit tonë për në Bashkimin Evropian… Ne qëndrojmë përkrah Ukrainës, jemi të drejtave të njeriut dhe BE-ja nuk duhet të lejon bullizimin e dikujt ndaj dikujt”,tha ajo.
Sipas saj, BE-ja dhe SHBA kanë lënë një vakum në rajonin tonë, të cilin ka dashur ta shfrytëzojë Putini, Rusia.
“BE duhet ta dijë se sa më shumë zgjatë procesin e integrimit tonë në BE, Rusia do të mundohet ta destabilizojë rajonin”.