"Hitler i vogël ballkanik". Kështu e ka quajtur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Kjo deklaratë e Petkoviq vjen pas deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ditën e djeshme ku e quajti presidentin serb, Aleksandër Vuçiq “Putini i vogël”, shkruan lajmi.net.
“Në këtë kohë kur e gjithë bota demokratike është distancuar nga Putin-i, fqinji ynë verior organizon tubime mbështetëse për Putin-in duke i thurur lavde e duke arsyetuar krimet e tij në Ukrainë. Miqtë e tij në Serbi e Republika Serbe synojnë ta joshin Rusinë në Ballkan e për Ballkan. Me mikun e Putin-it në Republika Serbe të Bosnje Hercegovinës dhe Putin-in e vogël të Serbisë, paqja dhe siguria në Ballkanin Perëndimor kurrë s’ka qenë më e kërcënuar”, tha Kurti.
Si gjithmonë, Petkoviq ka vazhduar filozofinë e vajtimit duke thënë se Kurti po tenton të spastrojë etnikisht serbët e Kosovës.
“Kurti ëndërron ta pastrojë Kosovën deri në serbin e fundit dhe presidenti Vuçiq po lufton si luan për interesat e popullit serb në Kosovë dhe nuk do të lejojë askënd të pastrojë etnikisht serbët nga Kosova”, tha Petkoviq.