Një luan që prej një muaji endej pranë një resorti në Mal të Zi, u kap ditën e djeshme pas një kërkimi të gjatë.
Luani i arratisur u gjet në një fshat afër Budvës, tha Bojan Basanovic, zëdhënës i Agjencisë për Mbrojtjen e Natyrës dhe Mjedisit, e cila mori pjesë në hetim.
“Këlyshi i luanit ishte i rraskapitur dhe tani po ekzaminohet nga një veteriner. Sipas informacioneve tona ai ka bredhur 30 ditë. Kafsha është “në një vend të sigurt”, tha ai.
Nëse është i shëndetshëm, do të kthehet në vendin e origjinës, që ende nuk dihet ose do të dërgohet në një kopsht zoologjik.
Ndërsa policia po vijon hetimet për të përcaktuar se si luani mbërriti në Mal të Zi. Deri më tani nuk është gjetur asnjë dokument ligjor për importin e tij.