Vihet në prangat e policisë një 62-vjeçar nga Gjirokastra.
Policia vendore bën me dije se ka përfunduar operacionin policor të koduar "LAST WINTER", si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi M. S., 62 vjeç, banues në fshatin Lazarat.
Gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekustruar 2 armë zjarri pistoleta, 10 krehra, 157 fishekë dhe pajisje që përdoren për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, si: 26 përforcues energjie elektrike, 2 filtra që shërbejnë për pastrimin e ajrit, 7 tuba që shërbejnë për ventilimin e ajrit, llamba dhe projektorë që shërbejnë për transferim nxehtësie, 4 ngrohëse me gaz dhe pajisje të tjera elektrike.
Gjithashtu, në banesën e këtij shtetasi u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.
Materialet në ngarkim të shtetasit M. S. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale "Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit", "Përdorimi i paligjshëm i teknologjisë së lartë" dhe "Vjedhja e energjisë elektrike".