Sali Berisha ngjan si budalla; Rrahman Rrahja, si intelektual. Rrahmani, është deputet, prodhon ligje për mua e për ty, për sot e për nesër. Edhe Saliu deputet është, por s’ka parti e vota e tij tashmë bën shenjë si delja e zezë mes tufës leshbardhë.
Sidoqtë Rrahmani, Saliu, Fatmir Mediu, Sadri Abazi, janë sot të diturit, prej të cilëve priten ndryshimet e mëdha, kapja e “Peshqve” të mëdhenj dhe kthimi i gjësë së vjedhur. S’ka më keq e më përdreq se të mbash këta për mëndje të “ndritura”.
Po pse Saliu ngjan budalla?
Se i ra “kallaji” prandaj. Sot ka dalë Sali Berisha origjinal. Si Hashim Thaçi, për shembull, që është asgjë sot: si Edi Rama pas një viti, që normalisht do bëhet Sali Berishë e Hashim Thaçë. Por të vazhdojmë vizatimin e doktor Berishës…
Pasi u bë ‘non-grata’, shpalosi Flamurin tonë Kombëtar dhe e bëri Flamur Nokë. Pastaj, hajdutët milionerë Flamur Noka, Tritan Shehu, Arben Ristani, Lorenc Luka, Genc Pollo etj., i bëri Flamur antiamerikan. Pasi i palosi në një “sirtar” krimi gjithë këta e të tjerë hajdutë, thirri nga Amerika një femër që binte në sy si republikane. E prezantoi si fytyra e re e “Foltores”. Këtu, ngjante se merr frymë kufoma. Pra, ose bënte budallain, ose karikonte ndjenjat e budallenjve.
Evi Kokalari, paradite bënte foto me ambasadoren Yuri Kim e jepte mesazhe kundër doktorit, pasdite bënte fushatë kundër ambasadores në krah të doktorit. U krijua bindja se vërtetë mund të hante thana të papjekura Sali Berisha e buzët t’i thartoheshin “Kimetes” që ja paska ditur kimetin e kivetin grackës ku bien hajdutët.
Ashtu ndodhi, Saliu ra në grackë.
Pasi u fry si kaposh, me një votim shpejt e shpejt, “sistemoi” Lulzim Bashën.
Spektakël poshtë e spektakël lart.
Poshtë turmat që çirren dhe Ivi Kokalari. Lart diplomacia që hesht dhe Ivi Kokalari.
Veprimtarja e njohur republikane në Amerikë, Evi Kokalari, ja shprishi mendjen plakut Sali, e bëri ky që është sot, për t’ju dhimbtë gurit e drurit.
Kaq poshtë ka rënë Saliu sot?
Ky mjeshtri i mashtrimit, babai i krimit, dhunues i të drejtave dhe lirive njerëzore, bolsheviku i pashpirt, skllavopronar që pushtetin mbi shqiptarët e kish disiplinuar dhe bërë absolutisht efektiv, erdhi dhe u mbyt në një gotë uji.
Sjelljet primitive janë në modë tek pasanikët, prandaj Sali Berisha ra kaq lehtë.
U nis si Spartan me 200 ushtarë t’i marrë vulën dhe zyrat e partisë Lulzim Bashës,
Po rrugës, një mesazh në celular ja “vrau ushtrinë”. Ngeli fillikat! As Flamur Noka, as Tritan shtatështëpishi, asnjë për të qënë, nuk i ngeli në krah. Mbaroi doktori, ndaj ngjan edhe diktator, edhe budalla.
Jo vetëm është pa zyrë, pa protestë, por edhe pa parti.
I ra “kallaji”, doli origjinal, se ra në grackë të Yuri Kim… Është afër arrestimit! Mbase po pret edhe Ilir Metën. Pra, ka ndodh gjithçka pritej…
Evi Kokalari e fundit erdhi, e fundit e tradhëtoi.
Po, Shqipëria është plot çudi, ndaj Sali Berisha ngjan si budalla, Rrahman Rrahja si intelektual, deputetët si ligjvënës e qeveritarët si amanetqarë të pasurive tona.
Të gjithë këta kanë historitë veta, të gjithë hajdutët kanë rënë në grackën amerikane, si Saliu./Pamfleti