Gjykata ka konstatuar se pretendimet e Prokurorisë se Glauk Konjufca ka hedh gazin lotsjellës janë në nivelin e supozimeve pasi që për t’u provuar fajësia e tij është dashur që organi i akuzës të prezantojë prova bindëse e që të njëjtat nuk janë paraqitur.
Këto konstatime janë dhënë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila ka përpiluar aktgjykimi e plotë ndaj kryetari aktual të Kuvendit dhe ka sqaruar arsyet pse ai nuk është fajtor për hedhje të gazit lotsjellës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pas vendimit të gjykatës, Konjufca kishte thënë të jetë befasuar nga vendimi për lirimin e tij nga akuza për hedhje të gazit lotsjellës. Ka deklaruar se ka pritur dënim me kusht ose me gjobë.
Sidoqoftë, në aktgjykimin e plotë të gjykatës të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet fillimisht kontestues ka dal të jetë fakti se kush e ka hedhur gazin lotsjellës pasi ka munguar raporti i konfiskimit nga Prokuroria.
Andaj gjykata thuhet se ka vepruar në bazë të parimit “In Dubio Pro Reo” i cili parim thekson se askush nuk mund të shpallet fajtor pa prova bindëse dhe se supozimet e mëdyshje interpretohen në favor të të akuzuarit.
“Në këtë kontekst, gjykata vlerëson se prokuroria nuk arriti të provojë lidhjen e qartë të akuzuarit me përdorimin e mjetit të kryerjes së veprës penale, prandaj, nuk e pranoi këtë si një fakt të konfirmuar, duke theksuar se në asnjë moment nuk u vërtetua se bombola e gazit ishte përdorur nga i akuzuari, qoftë edhe me anë të një konstatimi daktiloskopik”, thuhet në aktgjykim.
Tutje, në vendimin e gjykatës thuhet se barra e të provuarit lidhur me fajësinë e të akuzuarve i përket Prokurorisë e që në rastin konkret Prokuroria ka dështuar të bëjë të njëjtën
Po ashtu në vendimin e gjykatës thuhet se nga administrimi i provave materiale dhe dëgjimi i dëshmitarëve s’është arritur të bëhet ndërlidhja midis provave ta administruara me përshkrimin se si ka ndodhur rasti si në aktakuzë.
Në vendimin e gjykatës gjithashtu thuhet se asnjëri nga dëshmitarët nuk e ka përfshirë të akuzuarin Konjufca në veprën penale që pretendohet se i njëjti ka kryer.
Sipas vendimit të gjykatës thuhet se deklarimet e dëshmitarëve nuk janë në kundërshtim me praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut pasi që edhe vet prokuroria ishte e njohur me dëshminë e dëshmitarëve.
Tutje, në vendimin e gjykatës thuhet se prokuroria ka dështuar që përtej dyshimi të bazuar mirë të provojë fajësinë e të akuzuarit Konjufca kjo edhe konform standardëve të krijuara edhe nga Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në vendim po ashtu thuhet se nuk mund të vërtetohet fajësia e Konjufcës vetëm pse në ulësen e tij është gjetur gazi lotsjellës pasi që, sipas gjykatës, ky argument nuk ka mbështetje në prova materiale dhe se një pretendim i tillë mbetet në nivelin e dyshimit.
Gjykata po ashtu ka sqaruar se Prokuroria ka dështuar të konstatojë se bombola e gazit ishte përdorur nga Konjufca.
Sipas gjykatës këto janë arsyet përmes të cilave ka liruar Konjufcën nga vepra penale “përdorim i armës apo mjeti të rrezikshëm”.
Kurse gjykata për veprën penale “pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare” ka konstatuar parashkrimin e absolut të veprës penale pasi që ka kaluar dyfishi i kohës për gjykim të kësaj vepre penale.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 3 shkurt 2017, ka ngritur aktakuzë kundër Glauk Konjufcës, të cilin e ngarkonte me dy vepra penale.
Sipas aktakuzës, Konjufca akuzohej se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku merrnin pjesë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq, i njëjti në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë kësaj mbledhje ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë.
Aktakuza thotë se si pasojë e kësaj, qëndrimi i pjesëmarrësve është pamundësuar nga tymi që ka shkaktuar gazi lotsjellës dhe të njëjtit janë detyruar të braktisin sallën, me çka i pandehuri Konjufca ka rënë ndesh me nenin 9.1 të Rregullores nr.04/12 për armëmbajtje në Republikën e Kosovës, ku ndalohet përdorimi i armëve.
Me këtë, Konjufca akuzohej se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.
Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, me datë, në kohë dhe vend të përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj akuze, i pandehuri Konjufca gjatë përdorimit të gazit lotsjellës ka penguar personat zyrtarë si kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq në kryerjen e detyrave zyrtare, ç’rast të gjithë personat zyrtarë janë detyruar ta ndërpresin mbledhjen dhe të largohen nga salla.
Për këtë, Konjufca akuzohej se ka kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” përcaktuar nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.