Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë se draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i propozuar nga diplomatët ndërkombëtarë nuk është dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, pasi është pritur të ketë reflektim në komentet që pala kosovare i ka bërë te ndërmjetësi për dialog, Miroslav Lajçak.
Kusari-Lila, në një intervistë për KosovaPress, deklaron se është skeptike se do të ketë progres në dialog para zgjedhjeve në Bashkim Evropian.
Sipas saj, dërgimi ose jo i draft-statutit të Asociacionit në Kushtetuese nuk do të ndryshonte situatën aktuale në terren në katër komunat veriore.
Shefja e deputetëve të LVV-së akuzon Serbinë për qasje dekonstruktive në dialog. Ajo thekson se përderisa nuk ka masa ndëshkuese ndaj Serbisë për sulmin terrorist në Banjskë dhe derisa shteti fqinj mbron personat që kanë qenë të përfshirë në agresionin ndaj Kosovës, është e vështirë të thuhet se mund të ketë lëvizje përpara në dialog.
Duke folur për rregulloren e BQK-së, ku ndalohet përdorimi i dinarit serb në Kosovë dhe mundësitë që e njëjta të diskutohet në nivelin e kryenegociatorëve në Bruksel, Kusari-Lila, thotë se e vetmja çështje që mund të bisedohet në raport me këtë temë janë gjetja e mekanizmave lehtësues për konvertimin e dinarit në euro.
Krahas këtyre, Kusari-Lila për KosovaPress flet edhe për zgjedhjet në katër komunat veriore dhe mundësitë e heqjes së masave ndëshkuese pas caktimit të datës për votimin e largimit të kryetarëve aktualë.