Askush nuk ka thënë ndonjëherë se të jesh prind është diçka e lehtë. Rritja e fëmijëve të suksesshëm në jetë nuk ndodh vetvetiu. Në shumë raste edhe kur bën gjithçka siç duhet, gjërat mund të shkojnë keq.
Por sigurisht që ndihmon jo pak të diturit se çfarë mund të bëni për të rritur shanset që fëmijët tuaj të ndjekin rrugën e duhur që i çon drejt një jete të shëndetshme dhe të lumtur. Më poshtë janë disa gjëra që studiuesit kanë zbuluar që bëjnë ndryshe prindërit e fëmijëve të suksesshëm.
Ata i mësojmë fëmijët se si ta përdorin kohën e tyre
Statistikat në lidhje me problemet e shëndetit mendor në mesin e të rinjve janë tronditëse. Sipas një studimi të botuar së fundmi në “The Journal of Annormal Psychology”, gjatë viteve 2009- 2017 nivelet e depresionit u rritën me më shumë se 40 për qind tek adoleshentët e moshës 14-17 vjeç, dhe 47 për qind tek fëmijët e moshës 12-13 vjeç.
Dhe numri i të rinjve në këto grupmosha që vizituan departamentin e urgjencës me mendime apo veprime vetëvrasëse ishte dyfishuar në vitin 2015 krahasuar me vitin 2007. Sipas Kim Bruks, autore e librit“Kafshë të vogla:Prindërimi në Epokën e Frikës”, një pjesë e problemit është se prindërit e strukturojnë çdo minutë të jetës së fëmijëve të tyre, dhe i japin prioritet sigurisë dhe mbikëqyrjes, në kurriz të zhvillimit emocional dhe social të tyre.
Sot loja e pastrukturuar dhe pa mbikëqyrje është praktikisht inekzistente. Dhe kjo i shkakton një dëm të madh fëmijëve që nuk kanë shansin të praktikojnë aftësi shoqërore si lidhja e miqësive,dhe gjetja e mënyrës se si të trajtohen problemet ndër-personale.
Ata stimulojnë leximin
Aftësia për të lexuar mirë, është një gjë shumë e vlefshme, dhe ndikon në shumë sfera të jetës së një personi. Megjithatë, sipas studiuesit të leximit Kindel Nash, vetëm rreth një e treta e të gjithë nxënësve të klasave të teta mund të lexojnë në apo mbi nivelin e klasës së tyre. Ndërkohë, prindërit më të mirë përdorin një qasje praktike për t’i ndihmuar fëmijët e tyre të kenë sukses në këtë fushë. Nash mbron metodën “Lexo Dy Përshtypje Plus” për të praktikuar leximin, të cilin ajo e përshkruan në këtë mënyrë:
Zgjidhni materiale që e sfidojnë fëmijën.
Lexoni fragmente që pasqyrojnë kulturën, gjuhën dhe interesat e fëmijës.
Lexoni me zë, duke u siguruar që fëmija t’ju dëgjojë.
Drejtojeni me dorën tuaj gishtin e fëmijës mbi fjalitë që po lexoni.
Lexoni njëkohësisht me fëmijën, por nxiteni që të lexojë gjithçka vetë me zë pas jush.
Rilexojini këto pjesë apo histori, duke përdorur të njëjtat teknika.
Nëse praktikoni duke lexuar në këtë mënyrë gati çdo ditë për 10-15 minuta, aftësia e fëmijës për të lexuar ka shumë të ngjarë që të përmirësohet.
Ata janë të vetëdijshëm mbi atë që ndajnë në rrjetet sociale mbi fëmijët e tyre
Sharenting, është dukuria e ndarjes së informacioneve të tepruara mbi fëmijët tuaj në rrjetet sociale. Në një studim, studiuesit zbuluan se 70 për qind e prindërve që përdorin mediat sociale kanë parë prindër të tjerë që të ndajnë gjëra në internet, të cilat mund ta bëjnë me turp një fëmijë, përfshirë informacionin personal që jep vendndodhjen e fëmijës, apo fotot e një fëmije në momente që mund të konsiderohen të papërshtatshme.
Prindërit më të mirë e mbrojnë privatësinë e fëmijëve të tyre, dhe u mësojnë atyre me anë të shembullit se jo gjithçka duhet të bëhet publike, veçanërisht pasi ajo që hidhet në internet qëndron atje përgjithmonë.
Ata nuk lejojnë TV në dhomën e gjumit të fëmijëve
Studiuesit kanadezë analizuan të dhënat e mbi më shumë se 1.800 fëmijëve që morën pjesë në Studimin e Zgjeruar të Zhvillimit të Fëmijëve në Kebek. Ata vëzhguan fëmijët që kishin televizor në dhomën e tyre të gjumit që kur ishim 4-vjeç, dhe zbuluan se kur ishin në moshat 12-13 vjeç, këta fëmijë kishin më shumë të ngjarë të kishin një indeks më të lartë të masës trupore (BMI), zakone jo të shëndetshme të të ngrënit, dhe nivele më të larta të shqetësimit emocional.
Gjithashtu, ata ishin më të prirur ndaj simptomave depresive, viktimizimit, agresionit fizik, dhe niveleve më të ulëta të shoqërimit me të tjerët. Nuk ka nevojë për një ekran tjetër që të zërë vend në hapësirën e fëmijës tuaj. Akademia Amerikane e Pediatrisë, rekomandon që dhoma e fëmijëve të mos ketë televizor, dhe që koha e kaluar para ekranit të jetë e kufizuar për fëmijët e të gjitha moshave.
“Një drejtor nxirrte të dënuarit dhe darkonte me ta”, eksperti Ervin Karamuço bën publike prapaskenat e forta: Në burgje janë dhënë urdhra për vrasje!
Ata kanë një qasje praktike për arsimin
Sipas një studimi të kryer në Universitetin e Misurit, SHBA, kur prindërit përfshihen në arsimimin e fëmijëve të tyre në fillim të vitit shkollor, fëmijët kanë më pak të ngjarë të kenë probleme me fokusimin dhe sjelljen më vonë gjatë vitit.
Prindërit e fëmijëve më të suksesshëm,kanë si prioritet ndihmën ndaj fëmijëve në realizimin e detyrave të shtëpisë, komunikimin e rregullt me mësuesit, pjesëmarrjen në aktivitetet e shkollës, angazhimin në punë vullnetare në shkollë, dhe përfshirjen në këshillat e prindërve.
“Përveçse ka më pak të ngjarë që ata të kenë probleme emocionale apo të sjelljes në klasë, ne zbuluam gjithashtu se studentët me prindër të angazhuar më shumë me fëmijët, e përfunduan vitin shkollor me aftësi më të mira shoqërore, dhe ishin në gjendje të përqendroheshin më lehtë në detyrat e tyre”-thotë Tajler Smith, bashkëpunëtor i studimit në Kolegjin e Edukimit të Universitetit të Misurit. “Kjo do të thotë që kur prindërit përfshihen më shumë në shkollimin e fëmijës, përfitimet për fëmijën e tyre rriten me kalimin e kohës”- theksoi Smith.