Udhëheqësit e Emirateve të Bashkuara Arabe kanë nënshkruar një marrëveshje për një shërbim të ri transporti, “një taksi ajror”, i cili pritet të zhvillohet deri në vitin 2026.
Kështu Dubai do të bëhet qyteti i parë në botë që do të ketë në shërbim një taksi elektrike ajrore.
Ky projekt është pjesë e iniciativave të ardhshme të lëvizshmërisë, të cilat synojnë ofrimin e shërbimeve kualitative të transportit si për banorët ashtu edhe për vizitorët e vendeve arabe.
Shërbimi i ri i përdor teknologjinë më të fundit për të lehtësuar lëvizjen e sigurt dhe efikase të individëve, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Është një helikopter me pesë vende, me bateri, dhe gjashtë helika, i cili mund të mbulojë një distancë maksimale prej 161 kilometrave, me një shpejtësi maksimale deri në 321 km/h.
Taksi ajror do të jetë në dispozicion pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Dubait, në qendër të qytetit, në Dubai Marina, dhe në Palm Jumeirah.
Koha e udhëtimit midis Aeroportit Ndërkombëtar të Dubait dhe Palm Jumeirah, e cila zakonisht zgjat 45 minuta me veturë, me taksinë fluturese do të redukohet në 10 minuta. /Katror.info