Gjithësej 207 mijë euro është shuma që Salih Mustafa do të duhet t’ua paguajë tetë personave që konsiderohen viktima të tij, e të cilët kanë dëshmuar përgjatë procedurës, shkruan lajmi.net.
Mustafa është obliguar që t’i paguaj 30 mijë euro viktimës së pretenduar me pseudonimin v08/05.
80 mijë euro do të duhet t’ia paguajë viktimës së pretenduar me pseudonimin v/09/05.
60 mijë euro viktimës së pretenduar V10/05.
Nga 10 mijë viktimave V05/05, V06/05, V12/05.
5 mijë euro viktimës V11/05 si dhe 2 mijë euro viktimës V13/05.
Sidoqoftë, avokatët e Salih Mustafës në Hagë, në një shkresë të cilën e ka parë lajmi.net, kanë kërkuar që gjykata të mos lëshojë ndonjë afat kohor brenda të cilit klienti i tyre do të duhet të paguaj dëmshpërblimin.
Kjo për shkakun se ata kanë bërë me dije se do të kërkojnë sërish vlerësimin e ligjshmërisë të dënimit ndaj “Calit”.
Njëra nga avokatet e ish-komandantit nga zona e Llapit, thotë se nëse eventualisht ndonjë shkallë tjetër vendos për uljen e kësaj shume prej 207 mijë eurove, dhe në të njëjtën kohë nëse kjo shumë veç është paguar nga Mustafa, nuk ka mekanizëm që e rregullon këtë punë.
“Për arsyet e parashtruara më lart, Mbrojtja me respekt kërkon nga gjyqtari i vetëm që të ndalojë përkohësisht caktimin e një afati brenda të cilit z. Mustafa kërkohet të paguajë çdo shumë për viktimat në përputhje me Urdhrin për dëmshpërblim deri më vonë: a) shtatë ditë pas skadimit të çfarëdo afati, të përcaktuar nga Kolegji i Gjykatës Supreme, për paraqitjen e ndonjë kërkese për mbrojtjen e ligjshmërisë me kusht që të mos jetë paraqitur një kërkesë e tillë nga Mbrojtja; ose b) shtatë ditë pas përcaktimit përfundimtar nga Kolegji i Gjykatës Supreme të çdo kërkese për mbrojtjen e ligjshmërisë të paraqitur nga Mbrojtja”, thuhet në shkresën e avokatëve të “Calit”. /Lajmi.net/