Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama sot prezantoi projektin për transformimin e sheshit “Xhorxh Bush” dhe ndërlidhjen e tij me hapësirat e tjera publike.
Ai tha se ideja e këtij investimi nuk është vetëm një dizajn linear, por që sheshet të jenë sa më të qasshme dhe të sigurta për secilën moshë.
Rama theksoi se i kupton qytetarët që janë të frustruar rreth këtyre punimeve, për çka shton se kjo çfarë po bëjnë është zgjidhje, veçse sipas tij investimet kërkojnë kohë. Ai shtoi se do të duhen rreth tetë vjet për t’u bërë transformimi total i kryeqytetit
Rama potencoi se në kuadër të punimeve do të hiqen elementet e asfaltit që nuk janë ambientale, derisa shtoi se do të transformohen me elemente të gjelbëra
.Gjatë prezantimit të projektit, i pari i kryeqytetit ka dhënë detaje se si do të bëhet transformimi i sheshit “Xhorxh Bush”.
Ai tha se ky projekt “nuk është vetëm dizajn linear një hapësire prej Grandit deri tek Katedralja, por, është një koncept i cili ndërlidhet edhe hapësirat e tjera publike”.
Lidhur më këtë projekt foli edhe drejtori i Urbanizmit, Arbër Sadiki për çka tha se ky projekt ka qenë në vizion qysh në vitet e 70-ta, kur edhe është ndërtuar kampusi universitar.
Sadiki u shpreh se nuk po shpikin diçka me këtë ide, për çka tha se nuk është në dijeni nëse ndonjë kryeqytet tjetër në botë ku nuk janë të ndërlidhura rektorati, biblioteka e institucione të tjera me sheshe dhe këmbësorë.
Përveç kësaj, Rama shtoi se janë duke punuar në ndërtimin e “Rrugës A” dhe depërtimin në Veternik, që e lidhë Prishtinën e Re me Kalabrinë.
Rama foli edhe për punimet në unazën e brendshme të kryeqytetit, derisa tha se të gjitha punimet po bëhen me qëllim të përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe evitimin e komunikacionit.
Ai tha se përveç procesit të ndërtimit të pesë shkollave tani, planifikohet që të ndërtohen edhe pesë të tjera.
Në fund, Rama tha se ky projekt do tu prezantohet edhe qytetarëve në mënyrë që të kuptojnë qëllimin dhe secilin detaj rreth punimeve./Z. Zeneli/KosovaPress