Negociatat për aderimin e kryetarit të komunës së Therandës, Bali Muharremaj i cili vjen nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), janë duke vazhduar, ka pohuar një zyrtar i lartë i LVV në kushte anonimiteti, shkruan Gazeta Metro.
Kryetari komunës së Therandës, Bali Muharremaj i cili vjen nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), pretendohet nga burimet e Gazeta Metro se ka qenë duke aderuar në partinë e Albin Kurtit, në Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).
Burime të sigurta të Gazeta Metro në qytetin e Therandës, por që janë edhe persona të afërt me kryetarin Muharremaj, kanë thënë se i njëjti në vikendin e kaluar, konkretisht në ditën e diel ka qenë duke aderuar në LVV.
Çfarë është duke ndodhur tani?
Në lajmin e publikuar në Gazeta Metro sot nga burimet u tha se aderimi ka dështuar, mirëpo një gjë e tillë është mohuar nga një zyrtar shumë i lartë i LVV’së në kushte anonimiteti.
Ai ka pohuar për Gazeta Metro se Bali Muharremaj është duke negociuar me Albin Kurtin direkt për kalimin e tij në Vetëvendosje.
Ndërkaq edhe pse në Suharekë e burime të Metros kanë thënë se Muharremaj do të dalë në VV, Ramush Haradinaj dy ditë më parë u pa në Suharekë në festën e ‘Festarit’, ku aty po e shoqëronte Bali Muharremaj dhe kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi.
Gazeta Metro ka kontaktuar kryetarin e Therandës Bali Muharremaj, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.
Ndërkaq Gazeta gjithashtu ka kontaktuar edhe me zyrtarë të selisë qendrore në AAK, mirëpo të njëjtit në mënyrë anonime i kanë thënë Metros se nuk janë në dijeni për një aderim të mundshëm të Muharremajt në LVV, madje sipas tyre diçka e tillë nuk është diskutuar fare nga i pari i Therandës me kryetarin e AAK’së, Ramush Haradinaj, apo me ndonjë zyrtar tjetër të lartë në qendër.
Në tetor të vitit 2021, Bali Muharremaj u rizgjodh për herë të dytë kryetar i Therandës nga radhët e AAK’së.
Aktualisht Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës udhëheqë në pesë komuna të Kosovës, mirëpo në rast se këto pretendime të burimeve tona konfirmohen dhe Muharremaj kalon në LVV, atëherë AAK do të mbete me katër komuna. /gazetametro.net