Në rrugën për ta rrëzuar kryeministrin Kurti nga pushteti, Ramush Haradinaj është i vetëm. Mocionin e mosbesimit atij nuk ia kanë përkrahur asnjëra nga partitë opozitare. Abdixhiku kishte thënë se mocioni realizohet kur ka vota, duke lënë të nënkuptohet se nuk ka vota të mjaftueshme. Ndërkaq, zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu tha se kjo nuk është bërë në momentin e duhur. Të enjten Haradinaj, iu drejtua prapë atyre: Kolegë opozitarë ku e keni problemin?
Në fund të muajit maj, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas një mbledhje të jashtëzakonshme të partisë, tha se do të inciojë votë mosbesimi për Qeverinë Kurti. Këtë veprim, Haradinaj e ndërmori pas tensioneve në Veri dhe paralajmërimeve për vendosjen e sanksioneve.
Jam shumë i shqetësuar për situatën në vend. Ajo sot është më e rënda që nga viti 1999. E shoh përgjegjës të drejtpërdrejtë të kësaj situate, Kryeministrin Albin Kurti. Prandaj ai duhet të largohet menjëherë. Çdo ditë e mbetjes së tij në krye të Qeverisë, është e dëmshme dhe e rrezikshme për vendin… Është hera e parë në histori që miku më i madh i Kosovës, ai që luftoi për lirinë tonë dhe që i vuri themelet e shtetit të pavarur të Kosovës, Amerika, i vendos sanksione Kosovës. Dhe fajtor për këtë është një njeri, Albin Kurti”, kishte thënë ai.
Mirëpo, Haradinaj, nuk po gjen përkrahje në qëllimin e tij që ta heqë Kurtin nga karriga e të parit të ekzekutivit.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kur është pyetur nga gazetarët, ka thënë se “mocioni është veprim politik që realizohet kur ka gjasë, kur ka vota”, duke lënë të nënkuptohet që nuk ka vota për rrëzimin e Kurtit.
“Mocioni është veprim politik, që realizohet kur ka gjasë, kur ka vota, ju e dini numrin e opozitës në kuvend, nuk jemi të interesuar për deklarime politike, për beteja politike, jemi shqetësuar për gjendjen në Veri, jemi të shqetësuar për rrugën që duhet ta kemi përpara bashkë me aleatë. Për këtë gjendje kemi preokupim, për çështje tjera janë të rendit të dytë”, kishte thënë ai më 6 qershor.
Për mocionin e mosbesimit, janë deklaruar edhe nga partia tjetër opozitare, PDK. Zëdhënësi i këtij subjekti, Faton Abdullahu, ka thënë se kërkesa e AAK-së për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti nuk është bërë në momentin e duhur.
Kemi edhe vlerësimin tonë që thjeshtë do të duhej që të mendohej më mirë kjo të shohim se mund te bësh diçka konkrete, e jo që faktikisht kështu si u bë është veç tërheqje e vëmendjes. Këtë e ka thënë edhe kryetari jonë, zoti Krasniqi. Nuk është në momentin e duhur dhe nuk shihet se ku është rezultati është më shumë tërheqje e vëmendjes nga krejt këto probleme në vend se për atë të flitet në forma të ndryshme dhe të bëhet diçka sesa të shkojmë të merremi me një çështje e cila në fund e dimë që nuk do të sjellë rezultate”, tha Abdullahu për Express.
Madje sipas zëdhënësit të PDK-së, nuk ia vlen t’i bashkohet thirrjes së partisë tjetër opozitare.