Kandidati i PS-së për Tiranën, Erion Veliaj është ndalur këtë të martë në një takim me banorët e Petrelës, Farkës dhe Baldushkut. Ai foli së pari për investimet në këto zona që i cilësoi si kurora e gjelbër e Tiranës.
“Kur më thonë eja të numërojmë pemët që ke mbjellë, iu them: Numërojini një më një, se aty i keni, te Liqeni i Farkës, përgjatë gjithë Lanës, i keni në Prush, në Baldushk, në Petrelë. Kudo kemi vënë dorë! Po nuk vure dorë, po nuk preke diçka, asgjë nuk ndryshon. Këta që thoshin mos ma prek parkun, mos ma prek lumin, mos ma prek Teatrin, mos ma prek Pazarin, mos ma prek Kalanë, mos ma prek Bulevardin, mos ma prek Astirin, por po nuk i preke punët me dorë nuk ndryshon realiteti. Çdo punë që kemi prekur është bërë më e mirë,” – tha Veliaj.