Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mefail Bajqinovci, ka kritikuar LDK-në për paralajmërimin se do e dërgojë në Gjykatën Kushtetuese Projektligjin për Fondin Sovran.
Në një postim në Facebook, Bajqinovci ka vlerësuar se ky tentim i LDK-së për të “penguar reformat” e Qeverisë, vie si pasojë e humbjeve të njëpasnjëshme politike dhe humbjes së mundësisë për të bërë “pazare korruptive me PDK-në”.
“Tani, duke përdorur metodat dhe linjat, edhe ndonjë ditë të instaluara të shtetit të kapur në sistemin e drejtësisë apo institucioneve të pavarura, LDK humbjen e betejave po provon që ta kompensojë me beteja juridike në Gjykatën Kushtetuese, aty, ku shpresojnë t’u shkrepin ish kandidatët për deputetë të saj që me ato marrëveshjet e koalicionit që bazoheshin në ndarjen e plaçkes 50 me 50, të vonojë sado pak Qeverinë dhe mazhorancën aktuale në ndërtimin e kornizës së reformave afatgjate zhvillimore ekonomike dhe të drejtësisë”, ka shkruar Bajqinovci.
Deputeti i VV-së, ka shkruar se përpjekja e opozitës për t’i përdorur institucionet e pavarura kushtetuese, tregon se ata ende nuk janë ‘kthjellur’ nga humbja e 14 shkurtit 2021.
“Përpjekja e opozitës PLAN, për të instrumentalizuar e ndërsyer institucione të pavarura kushtetuese kundër programit të reformave, përveçse po e komprimiton pozitën juridike të atyre institucioneve, po tregon fare të qartë se PLAN jo vetëm që nuk ka reflektuar nga 14 shkurti 2021, por janë të etur për të vazhduar atë që kishin bërë me pasurinë publike më parë”, tha ai./Arbresh.info