Kryeministri Edi Rama, mbrëmjen e sotme është i ftuar në emisionin “Zonë e Lirë” me gazetarin Arjan Çani. Ky i fundit i tha Ramës se në çdo vend të botës, nëse do të kishte ndodhur ky skandal me iceneratorët dhe të ishte arrestuar një ish-ministër, do të ishte rrëzuar qeveria.
Rama iu përgjigj duke i thënë se në vendet normale dhe demokratike përgjegjësia është individuale. Kështu, shtoi Rama, dhe përballja e Lefter Kokës me drejtësinë është çështje individuale, jo partiake apo kolektive.
Më tej tha se kush thërrit nga drejtësia nuk ka punë në PS, dhe zbuloi mesazhin që u jep ministrave në mbledhjen e parë kur formohet qeveria.
“Në vendet normale dhe sjelljet normale të cdo demokracie përcaktojnë se përgjegjësia është individuale. Sa herë zhvillohet mbledhja e parë e qeverisë unë iu them: “Sa më takon mua, vendet ku jeni ulur ua kam dhënë, tani duhet t’i mbani”. Dhe e mban me punë dhe rezultate. E kam thënë publikisht që në momentin kur drejtësia kërkon hesap, ai duhet të marri avokati dhe të përballet me drejtësinë. Ne nuk jemi zyrë avokatie. Çështjet me drejtësinë janë individuale. Ai që thërritet nga drejtësia, nuk ka punë me PS-në”, tha Rama.