Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike ka miratuar rezolutën që dënon lëvizjen e djeshme të iniciuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, afirmon 18 dhjetorin, mbështet kryetarin, kryesinë si dhe grupin parlamentar.
Gjithashtu, gjatë ditës së sotme pritet të ketë dhe shkarkime, ku është propozuar shkarkimi i kryetarit të këshillit, Edi Paloka, si dhe 11 anëtarëve të kryesisë, të cilët pritet të zëvendësohen me emra të rinj.
Kjo është Rezoluta e plotë:
Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike i mbledhur sot në 12 dhjetor 2021 në përmbushje të përgjegjesive të veta politike dhe statutore, si organi më i lartë i Partisë Demokratike midis dy Kuvendeve,
-Diskutoi mbi situatën shqetësuese të krijuar nga lëvizja e zotit Sali Berisha pas pezullimit të tij nga Grupi Parlamentar dhe tubimi i tij përmbledhës i datës 11 dhjetor;
-Konstatoi se thirrja e ketij tubimi me pretendimin se po mblidhte një Kuvend të Partisë Demokratike dhe të ashtuquajturat “vendime” shkelin të gjitha normat e Statutit të PD-së që rregullojnë funksionimin dhe vendimarrjen e saj si institucion politik;
-Vëren se tubimi falsifikoi dhe përdori simbolet dhe logot e Partisë Demokratike në thyerje flagrante të normave statutore dhe ligjore;
-Vlerëson se lëvizja “Berisha” dhe tubimi i djeshëm si finalizim i saj janë një përpjekje për të deligjitimuar institucionet e Partisë Demokratike deri në shbërjen e saj si forca më properëndimore në vend, duke synuar shndërrimin e saj në një bunker për mbojtjen e interesave personale të Sali Berishës përballë SHBA.
-Konkludon se çdo i ashtuquajtur qëndrim apo vendim i këtij tubimi është nul dhe nuk ka asnjë vlerë politike dhe ligjore për Partinë Demokratike