Drejtori i Qendrës për Paqe dhe Liri në Institutin e Pavarur të Uashingtonit, Ivan Eland, ka deklaruar se administrata e presidentit të SHBA, Joseph Biden, do të përdorë politikën e “karotës dhe shkopit” që, Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës.
I pyetur nga gazeta serbe “Politika” nëse administrata e Biden-it mund të formulojë një zgjidhje që do të kënaqte edhe Beogradin edhe Prishtinën, Eland ka deklaruar se administrata e Bidenit është shumë më tradicionale në mbështetjen e saj për NATO-n sesa administrata e ish-presidentit Donald Trump, dhe si rrjedhojë, nuk ka gjasa që Biden t’i zbehë rezultatet e fitores së Aleancës në luftën kundër Serbisë në vitin 1999, transmeton Paparaci.
“Administrata e Bidenit do të përdorë politikën “karota dhe shkopi” për të detyruar Serbinë të njohë pavarësinë e Kosovës. Me fjalë të tjera, që të dyja palët të respektojnë kufijtë dhe simbolet shtetërore dhe që Serbia të mos lobojë më që Kosova të mbetet jashtë organizatave ndërkombëtare, por që formalisht nuk do ta njohë Kosovën si shtet”, ka thënë Eland.
Kujtojmë se të hënën do të mbahet takimi ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vucic.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë sonte se në takimin e së hënës në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, do t’i përmbahet vijave të kuqe për çështjen e Kosovës, për të cilat foli në Kuvendin e Serbisë – pa marrë parasysh çfarë bëhet.
“Gjithçka që thash në Kuvend, e kuptoj shqetësimin tuaj dhe na presin shumë net të vështira, është se Serbia do t’i përmbahet asaj që thash në Kuvendin Kombëtar – pa marrë parasysh çfarëdo që të jetë”, tha Vuçiq.
Në anën tjetër kushti i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, tha që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të mos jetë njëetnik dhe ta ndryshojë emrin, në mënyrë që të merret në konsideratë formimi eventual i tij, paraqet ide për ndryshimin e Marrëveshjes së Brukselit, vlerësojnë njohësit e proceseve politike, Agon Maliqi dhe Miodrag Milliqeviq.
Me këtë marrëveshje – që Kosova dhe Serbia kanë arritur në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve – është paraparë edhe formimi i Asociacionit, por nuk është zbatuar kurrë.
Kosova refuzon ta themelojë atë, duke thënë se “asociacioni njëetnik” është në kundërshtim me Kushtetutën e saj dhe mund të çojë në ndarjen e vendit.
Me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare, Kurti, në fillim të shkurtit, ka dalë me gjashtë kushte për formimin e Asociacionit – mes tjerash: të mos jetë njëetnik, ta ndryshojë emrin dhe të mos ketë pushtet ekzekutiv.
Analistët nuk e përjashtojnë mundësinë që kërkesa e Kurtit për ndryshimin e emrit të shtrohet në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, më 27 shkurt, për kur edhe është planifikuar një takim i Kurtit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.