Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë fajësuar kryeministrin Albin Kurti për mostransparencë në dialog dhe rreth planit franko-gjerman.
Sipas LDK-së dhe AAK-së, shefi i ekzekutivit po i mban qytetarët dhe opozitën në terr informativ.
Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka thënë për Ekonomia Online se kryeministri Kurti nuk ka transparencë në dialog.
“Kryeministri Albin Kurti e ka për obligim që t’i mbaj të informuar deputetët e Kuvendit lidhur me procesin e dialogut, sepse ka qenë po ky kryeministër sa ka qenë në opozitë që kemi përkrahur disa rezoluta ku të vijë dhe të raportojë para dhe pas çdo takimi me palën serbe, mirëpo deri më tani nuk kemi pas asnjë debat. Edhe ne si opozitë duhet me ftu së shpejti pas këtyre takimeve që i ka me Lajçakun, mirëpo deri më tani mund të them se zero transparencë sa i përket çështjes së dialogut dhe planit franko-gjerman”, ka thënë ajo.