Kushtet e vendosura nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, janë relativisht të pranueshme, përveç njërës që mund të jetë më problematike, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike në Kosovë, Agon Maliqi dhe Artan Muhaxhiri
Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, vlerëson se Kurti, dëshiron të imponojë qëndrimin se Asociacioni duhet të përfshijë vetëm katër komuna në veri të Kosovës.
Kurti, i cili deri më tani ka kundërshtuar fuqishëm krijimin e Asociacionit njëetnik, të enjten shpalosi para deputetëve të Kuvendit të Kosovës gjashtë kushtet për formimin e tij.
Sipas Kurtit, Asociacioni nuk mund të jetë njëetnik, ai duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, të ketë një emër tjetër dhe të mos ketë kompetenca ekzekutive, të ketë të përfshirë parimin e reciprocitetit mes shteteve sa i përket të drejtave të pakicave kombëtare, bazuar në modelet evropiane.
Kurti po ashtu ka kërkuar që të shuhen strukturat ilegale në veri dhe të bëhet dorëzimi i armëve, si dhe Serbia të tërheqë letrat dërguar pesë shteteve mosnjohëse të BE-së për mospranimin e Kosovës në bllokun evropian. Kurti kushtëzoi themelimin e Asociacionit edhe me përfshirjen e tij në një marrëveshje eventuale finale me Serbinë, dhe të zbatohet pas njohjes së ndërsjellë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i ka cilësuar “përrallë” kushtet për Asociacionin. Në një seancë të Kuvendit të Serbisë, gjatë diskutimeve për Kosovën, Vuçiq ka thënë se Kurti në fakt “nuk do të formojë Asociacionin”.
Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, kanë nënshkruar më 2013 marrëveshjen për formimin e Asociacionit, por ajo nuk është zbatuar kurrë. Më 2015 është nënshkruar një marrëveshje tjetër, për siç është thënë, parimet e këtij Asociacioni.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2015 gjeti se 23 pika të Marrëveshjes mbi parimet për themelimin e Asociacionit, nuk ishin në harmoni me aktin më të lartë juridik të shtetit. Por, gjykata tha se ato mund të harmonizohen.?
Maliqi thotë se qëndrimi i shprehur nga Kurti është hap përpara dhe mundësi që të lëvizet nga pozicioni “i ngurtë” i kreut të Qeverisë kosovare sa i përket Asociacionit.
“Është një lëvizje e pozicionit në kuptimin se tashmë Asociacioni bëhet i pranueshëm. Është një ‘po’ e kushtëzuar. Kushtet janë reale, në kuptim që janë pozicion i arsyeshëm fillestar i Kosovës. Mendoj se brenda atyre kushteve ka hapësirë që të arrihet deri te një lloj asociacioni që është i pranueshëm”, thotë Maliqi për Radion Evropa e Lirë.
Për njohësin e çështjeve politike, njëherësh profesorin e Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, Artan Muhaxhirin, deklaratat e Kurtit për Asociacionin janë një evoluim i pavullnetshëm politik, por megjithatë, sipas tij, ato paraqesin një mesazh të fortë për bashkësinë ndërkombëtare.
Ai thotë se pas këtyre deklaratave ekziston gatishmëria që të lëvizet nga qëndrimet bllokuese dhe të kërkohen gjetje kreative, që të arrihet deri te një pikë që është e përshtatshme për të gjithë.
“…sepse vetëm me këtë qasje mund të normalizohen raportet e dëmtuara me aleatët tanë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Është një ndryshim shumë i rëndësishëm sepse tregon një nivel tjetër të komunikimit të temës së Asociacionit, pasi më nuk është refuzim automatik, siç ishte deri më tani”, thotë ai.