Policia e Kosovës ka vendosur ta zgjasë edhe për 10 ditë konkursin për pranimin e zyrtarëve policorë, që do të zëvendësonin policët serbë që dhanë dorëheqje në veri. Por, pse u zgjat afati dhe sa kandidatë kanë aplikuar deri tash?
Vendimit të Listës Serbe për t’u larguar nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar, iu bashkuan edhe zyrtarët serbë që ishin pjesë e Policisë së Kosovës. Afër 600 prej tyre i zhveshën uniformat.
Për t’i plotësuar këto mungesa, Policia e Kosovës shpalli konkurs para tri javëve.
E pikërisht në ditën kur do të mbyllej konkursi, Policia vendosi ta zgjaste afatin për 10 ditë.
“Afati për paraqitjen e aplikacioneve vazhdohet për dhjetë (10) ditë duke filluar nga data 27.01.2023 deri me datë 10.02.2023. Vëmendje: Kriteret në konkurs mbeten të njëjta si dhe kandidatët të cilët kanë konkurruar në këtë konkurs nuk është e nevojshme të aplikojnë përsëri.
“Policia e Kosovës shpall konkurs – Për pranimin e zyrtarëve policorë sipas kushteve të parapara të konkurrimit për të gjitha minoritetet (Serb, Boshnjak, Turq, Goran, Romë, Ashkali, Egjiptas, Kroat, Malazez, Maqedonas). Vendi i punës: Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri”, thuhet në njoftim.
Nga Policia e Kosovës s’kanë treguar numrin e kandidatëve që do të pranohen nga ky konkurs e as numrin e aplikacioneve që janë dorëzuar deri tash.
Vetëm kanë thënë se deri tani ka pasur kandidatë të interesuar nga komunitete të ndryshme.
“Siç jeni të informuar konkursi është hapur, përfshirë me kriteret që parashihen, ku deri më tani ka pasur kandidatë të interesuar nga komunitete të ndryshme për aplikim”, thuhet në përgjigje.