Kryeministri Albin Kurti i pa vet sot pasojat e vërshimeve që kanë prekur disa komuna të vendit. Në dy prej tyre, në Skenderaj dhe Mitrovicë, Kurti ishte sot bashkë me dy ministra.
Kurti e ka përshkruar në Facebook situatën e rëndë të krijuar pas vërshimeve në këto dy komuna, ndërsa ka thënë se ka rrezik për epidemi.
Në Skënderaj janë rrënuar ose dëmtuar nëntë ura të vogla kurse në Llaushë vizituam një fermer të cilit i janë mbytur mbi 10 mijë pula. Nëpër muret e ndërtesave kishte ngelur lart vija e gjurmës deri ku kishte arritur përmbytja ndërkaq brigjet e deformuara të lumenjve si dhe arat rrotull janë përplot bërllog. Vërshimi në fshatin Lisicë të Mitrovicës, sipas banorëve, është pasojë e shtyrjes për afër 300 metra të rrjedhës së lumit Ibër si rezultat i ndërtimit të stadiumit në pjesën veriore të qytetit. Ibri e Sitnica janë bërë bashkë dhe janë shndërruar në liqe. Ka jo pak kafshë të ngordhura, andaj edhe rrezik për epidemi. Pas takimeve me kryetarët e këtyre dy komunave, Fadil Nurën dhe Bedri Hamzën, vizituam bashkë disa vendbanime të përmbytura.”, ka shkruar Kurti.