Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se strukturat paralele në veri të vendit janë bërë më agresive pas pushtimit rus në Ukrainë.
Sipas tij, këto struktura janë të paguara nga Beogradi dhe i sheh si shkak për problemet e popullsisë serbe në veri.
Në lidhje me dialogun, Kurti u shpreh optimist pasi tha se ky proces ka hyrë në fazë të re, njëjtë siç u shpreh optimist edhe për liberalizimin e vizave.
“Strukturat ilegale të Serbisë dhe në përgjithësi veteranët e luftës të Serbisë, janë bërë më agresivë gjatë këtij viti që prej pushtimit dhe agresionit ushtarak mbi Ukrainën, sepse në përgjithësi të gjitha apo shumica e tyre janë pro-Putinit. Ata e konsiderojnë luftën e Rusisë në Ukrainë si një mundësi për ta.
Shumë prej tyre kanë qenë në listën e zezë nga Thesari i SHBA dhe disa prej tyre kanë urdhër arresti nga qeveria jonë, mirëpo asnjëherë nuk vë shenjën e barazimit ndërmjet njerëzve dhe shtetit, as ndërmjet popullatës dhe strukturave, kjo e bën dallimin”, theksoi ai.