Pak ditë më parë, Gazeta Sinjali ka raportuar për një rast të frikshëm që ka ndodhur në Ferizaj, ku një i ri dyshohet se është keqtrajtuar për orë të tëra në një mal. Të dyshuarit e rastit, pasi e kishin lënë viktimën në rrugë, ishin arratisur. Njëri nga ta, të enjten është dorëzuar në Polici, ku me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 orë.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se në kuadër të veprimeve hetimore është arritur që të arrestohet edhe një tjetër i dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprën penale ‘Detyrim’, teksa po vazhdojnë kërkimet për personin e tretë të dyshuar në rast.
Por si kishte ndodhur ngjarja?
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në orët e paradites të së martës, kur viktima ishte ndaluar nga tre persona, të cilët e detyruan të futej me forcë në veturën e tij dhe më pas e dërguan diku në një mal. Atje, përveç që u sulmua fizikisht, edhe u kërcënua nga të dyshuarit.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se ky është rrëfimi i tij, i dhënë para hetuesve policorë, ku i shqetësuar ka treguar se si të dyshuarit e zhveshën, ia morën paratë dhe e keqtrajtuan duke e rrahur.
Për motive ende të panjohura, ata dyshohet se e mbajtën të riun për disa orë dhe më pas e lanë diku në një rrugë, por me një paralajmërim. Të dyshuarit, Sinjali mëson se kishin disa fjalë për viktimën, në rast se i denoncon. “Me na i përmend emrat, nanën kam me ta mbytë”, dyshohet t’i ketë thënë njëri, thonë burimet e Sinjalit.