Në një intervistë ekskluzive për “Pobjeda”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se ndaj vendeve të dala nga shpërbërja e Jugosllavisë së madhe, Serbia sot po sillet në mënyrë paternaliste dhe hegjemoniste, tamam si një “Rusi e vogël”.
Serbia në Ballkanin Perëndimor po sillet si Rusia me fqinjtë e saj: entitetin boshnjak-hercegovinas Republika Srpska po përpiqet ta shndërrojë në Bjellorusi dhe Malin e Zi në Ukrainë. Në thelb, Serbia nuk e njeh shtetësinë e vendeve jashtë BE-së – Bosnjë dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kosovën, madje edhe Maqedoninë e Veriut. Përkundrazi: ajo këto shtete i konsideron si të përkohshme dhe angazhohet me të gjitha kapacitetet e saj për të shkatërruar shtetësinë e tyre.
Për shkak të “mosmarrëveshjeve” tradicionale mes shteteve të dala nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë, të cilat janë përshkallëzuar muajt e fundit, në qarqet politike dhe mediale perëndimore, rajoni ynë trajtohet sërish sikurse në vitet 1990 – si një fuçi baruti. Shkaku i të gjitha konflikteve, ashtu sikurse në vitet e nëntëdhjeta, është Serbia, d.m.th. politika e saj e ndërhyrjes pak a shumë të hapur në punët e brendshme të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Dëshmi për këtë janë edhe tensionet e fundit në kufirin Serbi-Kosovë, pas të cilave forcat e Kosovës u detyruan të reagojnë. Dy muaj pas incidentit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, pohon se pavarësisht trazirave në kufi, marrëdhëniet mes dy vendeve kanë mbetur të pandryshuara.