Nesër në Bruksel do të zhvillohet takimi i radhës teknik në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Zv/kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi do të takohet me përfaqësuesin e palës serbe, Petar Petkoviq.
Takimi i tyre është konfirmuar edhe nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Duke folur lidhur me zhvillimin e dialogut, Vuçiq tha se shpreson të arrihet të paktën një marrëveshje, por tha se është i interesuar se çfarë saktësisht do të ndodhë në këto takime, si dhe në samitin e BE-së, më 23 qershor në Bruksel.
“Shpresoj se mund të arrijmë një marrëveshje, sepse kjo do të ishte marrëveshja e parë për disa gjëra elementare, të cilat do të ishin të rëndësishme” , tha Vuçiq, teksa theksoi se është shumë i interesuar se çfarë pritet të ndodhë të enjten, pasi sipas tij në bazë të kësaj mund të konkludohet arkitektura e ardhme e Evropës.
Madje sipas tij, kjo ndoshta do të jetë dita më e rëndësishme dhe më interesante në 10 vitet e fundit në nivel evropian.
Ndryshe në takimin e fundit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi nuk është arritur ndonjë marrëveshje.
Madje pati edhe mospajtime në lidhje me marrëveshjen për targat.
Kësisoj çështja e targave vazhdon të jetë e pazgjidhur siç duhet, e pas kësaj edhe shumë marrëveshje të tjera në mes dy shteteve.
Muajve të fundit ka patur raportime se një marrëveshje finale në mes Kosovës dhe Serbisë do të mund të arrihet shpejt, e lëvizje së fundi pati në kuadër të kërkesës drejtuar Serbisë nga shtetet e huaja , që të njoh shtetësinë e Kosovës./Lajmi.net/