Jozefina Topalli është kthyer në Partinë Demokratike, pas “divorcit” me Lulzim Bashën dhe krijimit të një partie të saj, me të cilën konkuroi, por nuk fitoi dot asgjë në zgjedhjet e 25 prillit të kaluar.
Ajo është pjesëmarrëse e Kuvendit Kombëtar të PD, që po mbahet sot në Pallatin e Kongreseve, ku është planifikuar të mbajë edhë një fjalim. Ish-kryeparlamentarja ka folur për gazetarët, sapo ka mbërritur në vendin ku po zhvillohet tubimi i demokratëve, me nismë të “Rithemelimit”:
“Kurrë më shumë se sot vendi nuk ka pasur nevojë për opozitë reale dhe opozitë të vërtetë. Ne duhet t’iu rikthemi vlerave dhe pushtetit moral. Opozita duhej të ishte pushtet moral. Sot është një moment kyç kur PD mund të kthehet te vlerat e saj.
Nuk është hera e parë që PD është gjendur në vështirësi, por nuk jemi tërhequr, pasi kemi besuar. Edhe pa qenë deputete, pa qenë në PD, njeriu duhet të gjejë forcën për të thënë të vërtetën. E vërteta është forca e çdo njeriu.
E vërteta është liria e individit. Jemi në një kohë që duhet të bëjmë beteja të vërteta. E rëndësishme është që bashkimi të bëhet mbi vlerat. Kërkohet një opozitë reale, jo një opozitë false. Sot është dita me bë opozitë, prandaj jam sot këtu. Nuk ka dëm më të madh se t’i japësh vendit një opozitë farsë. Dhe sot është dita për të bërë kthesë".