Kryeministri Albin Kurti ka uruar besimtarëve Pashkët ortodokse, duke uruar që shpresa dhe jeta të triumfojë mbi gjithçka, që ndihma ta mbizotërojë egoizmin dhe që e drejta ta largojë të keqen.
Në urimin e tij, Kurit ka thënë se dashuria do ta mposhtë përfundimisht urrejtjen.“Për shumë mot Pashkën. Sot besimtarët ortodoksë kremtojnë Pashkën. I trokasin vezët e kuqe në ndërrimin e së shtunës me të dielën dhe urojnë njëri-tjetrin për fillim të ri, në përqafime gëzimi për ringjalljen e shpresës. Ju uroj qytetarëve tanë të besimit ortodoks Pashkë të gëzuar. Për çdo vit në pranverë, sipas traditës mijëvjeçare, besimtarët me familjet dhe miqtë e tyre pas kreshmës 40 ditore, kremtojnë javën e shenjtë që kulmon me Pashkën ditën e diel. Këtë pranverë, në këtë kremtim, urojmë që shpresa dhe jeta të triumfojë mbi gjithçka, që ndihma ta mbizotërojë egoizmin, që e drejta ta largojë të keqen, së bashku dhe me vullnetin dhe përpjekjen e të gjithëve. Dashuria do ta mposhtë përfundimisht urrejtjen. Pashkë të bekuar”, thuhet në urimin e tij.